Kovaçevski: Dyert për anëtarësim në BE janë të hapura për ne, tani është momenti për vendime të guximshme, për të ardhme evropiane për qytetarët

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në “Tema e ditës” në lajmet e televizionit Sitel, mes tjerash ka folur edhe për rëndësinë e vendimit për hyrje në BE.

"Kam biseduar  edhe me kancelarin e Gjermanisë dhe presidentin e Francës, si dhe me kryetarin e Këshillit Evropian dhe kryetarin e Komisionit Evropian. Nga të gjitha anët vijnë sinjale të qarta për një derë të hapur për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Na takon ne të marrim një vendim. Bllokimi për herë të parë vjen nga brenda, prandaj them se duhet të ketë guxim për të marrë vendim", vlerësoi Kryeministri Kovaçevski në intervistën.

Megjithatë, Kryeministri Kovaçevski e krahasoi Maqedoninë e Veriut me Kroacinë për sa i përket negociatave me BE-në.

"Ne ishim bashkë me Kroacinë, dhe Kroacia u bashkua me BE. Ne ishim në të njëjtin pozicion me Kroacinë kur filluam negociatat me BE-në, shikoni ku është Kroacia, shikoni ku jemi ne. Ata hynë dhe ne ende presim", tha Kryeministri Kovaçevski.

 I pyetur nëse vendi mund të marrë garanci për anëtarësim në BE në lidhje me proceset reformuese në BE, kryeministri Kovaçevski thekson se e ardhmja e BE-së është një nga temat që do të diskutohet në Samitin e ardhshëm joformal të Unionit në Spanjë, i cili do të mbahet së bashku me takimin e Komunitetit Politik Evropian.

"Ai takim do të jetë në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian, ku do të marr pjesë unë dhe ku do të marrin pjesë të gjithë liderët e vendeve të Evropës, me përjashtim të Rusisë dhe Bjellorusisë. Ky është takimi i tretë, në Granada, ku do të diskutohen shumë tema të rëndësishme. Takimi joformal u organizua, siç e paralajmëroi edhe Sharl Mishel, për shkak të shumë temave të rëndësishme, përkatësisht luftës në Ukrainë, së dyti, sigurimit të pavarësisë më të madhe energjetike nga Rusia dhe së treti, e ardhmja e BE-së në drejtim të zgjerimit dhe dinamika e brendshme e përgatitjes së BE-së për regjistrimin e anëtarëve të rinj. Procesi mbështetet nga të gjitha shtetet anëtare si kurrë më parë. BE-ja e di se ka nevojë për zgjerim, në fakt, zgjerimi është emëruesi i përbashkët i të gjitha organizatave globale", deklaroi Kryeministri Kovaçevski në intervistën për televizionin Sitel.