Kryeministri Xhaferi për Report Tv: Po punojmë për parakushtet për zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike 

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në intervistën e sotme për Report TV në Tiranë, ku prej sot gjendet në një vizitë pune, foli për çështjet aktuale për rajonin, botën dhe në Republikën Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Xhaferi e theksoi përgjegjësinë e Qeverisë që e udhëheq në përputhje me Kushtetutën, si edhe për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme.

 “Duke qenë se jemi në një vit zgjedhor për zgjedhjet presidenciale në prill-maj të këtij viti, detyrë shtesë e Qeverisë është organizimi dhe përgatitja e parakushteve që zgjedhjet të jenë të lira, korrekte dhe demokratike. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e njeh termin teknik “i përkohshëm”, përndryshe Kushtetuta e njeh Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut me të gjitha kompetencat që i ka”, tha Kryeministri Xhaferi.

Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, i pyetur për ndjenjën e të qenit Kryeministër i parë shqiptar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vendit.

 “Unë jam Kryetari i parë i Kuvendit dhe aktualisht Kryetari i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me atë që edhe më e herët e kam theksuar ndjenjën e përgjegjësisë për sfidat që dalin nga obligimet dhe detyrat që i ka Kryeministri gjatë udhëheqjes së vendit”, u përgjigj Kryeministri Xhaferi.

Në intervistë, Kryeministrit Xhaferi iu parashtrua edhe pyetja “kur do të vijë koha për presidentin e vendit”, me ç’rast ai shprehu pritshmërinë se do të ketë ndryshim në perceptimin e përkatësisë etnike, duke i dhënë rëndësi prezantimit të qytetarëve dhe të vendit në përgjithësi.