Kovaçevski për RTV Sllovenia: Qytetarët meritojnë të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së, por në vendlindjen e tyre

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në një intervistë për RTV Sllovenia, tha se anëtarësimi në BE nuk është proces i një personi, i një qeverie, i një partie politike, por është proces i gjithë shoqërisë dhe të gjithë faktorëve politikë në vend.

“Ky është një proces strategjik nga i cili varet e ardhmja e gjeneratave aktuale dhe të ardhshme të maqedonasve. Qytetarët tanë duan, e meritojnë të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së, por të jetojnë në vendlindje, jo të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së jashtë vendit të tyre. Prandaj mendoj se ky është një vendim që duhet ta marrin të gjitha partitë politike në vend që janë për rrugën evropiane dhe për integrimin evropian të vendit”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.

Lidhur me mundësinë për marrëveshje me opozitën, Kryeministri Kovaçevski tha se do të hapet procesi i përgatitjes së amendamenteve kushtetuese, i cili do të jetë pjesë e punës së një grupi punues të formuar në Ministrinë e Drejtësisë, ku ekspertët më të mëdhenj të vendit në ligjin kushtetues dhe përfaqësuesit e partive politike do të përgatisin amendamentet.

“Do të ketë një diskutim të gjerë mes komunitetit të biznesit, komunitetit akademik, sektorit joqeveritar, mediave, në mënyrë që të gjithë qytetarët të informohen dhe më pas përmes një diskutimi parlamentar jam i bindur se Maqedonia e Veriut do të ketë demokraci dhe kapacitet vizionar për ta marrë këtë vendim, me të cilin do të vazhdojmë drejt integrimeve evropiane”, vlerësoi Kryeministri Kovaçevski.