Kryeministri Zaev: Në furnizimin me vaksina ndjehet mungesë në të gjitha vendet, kemi porositur 2.350.000 nga më shumë prodhues

 “Ne nuk kemi refuzuar vaksina, por kemi kërkuar informacione zyrtare shtesë, sepse në shtator të vitit të kaluar, akoma zgjaste faza e tretë e testimit të vaksinës “Sputnik V”. Vendimet i sjellim në përputhje me interesat tona strategjike. Ne jemi në pajtim me ligjet evropiane dhe si vend anëtar i NATO-s, por më vonë u arrit pajtim se prioritet është shëndeti publik dhe se do të kërkohen vaksina edhe nga vende të tjera”, deklaroi Kryeministri Zaev në në Ditarin e TV Sitell, lidhur me furnizimin e vaksinave duke shtuar se gati se në të gjitha vendet edhe në Ballkanin Perëndimor, përveç Serbisë, ka mungesë të vaksinave.

Ai përsëriti se Qeveria është përpjekur që në mënyra të ndryshme të sigurojë sasi më të mëdha të vaksinave për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Nëse është vlerësimi për një milionë qytetarë të vaksinohen në shtet, kjo do të thotë 2.000.000 vaksina, për momentin kemi paguar 2.350.000 vaksina bashkë me ato 800.000 të porositura nga “Fajzer”, 800.000 të porositura sipas “Kovaks mekanizmit”, 200.000 kemi nga Kina, 200.000 nga “Sputnik V”, kemi shtesë nga BE diku rreth 250.000, kur t’i mblidhni të gjitha janë rreth 2.350.000 dhe presim që shpejtë të arrijnë”, përsëriti Kryeministri Zaev, i cili theksoi se kriza me COVID që po zgjat më shumë se një vit e mësoi shtetin të veprojë në pikëpamje të zbutjes së pasojave, në aspekt të ekonomisë dhe sigurimit të jetës së sigurt të qytetarëve.

Kryeministri Zaev theksoi se me Greqinë dhe Bullgarinë, Qeveria ka raporte të shkëlqyera dhe se është premtuar se këto shtete do të ndihmojnë me vaksina dhe e vetmja arsye se pse kjo nuk është realizuar është se kemi marrë vetëm 12% nga e premtuara dhe se nuk kanë sasi të mjaftueshme për vaksinimin e popullatës të tyre.