Osmani me fjalim në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel “Integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor si hap i domosdoshëm përpara anëtarësimit tonë zyrtar”

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në kuadër të vizitës së tij të punës në Bruksel, mbajti fjalim në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, organizuar nga think-tenku i njohur i Brukselit "Friends of Europe".

“Zgjerimi i Bashkimit Europian ka pasur gjithmonë aspekt meritokratik dhe gjeopolitik”, theksoi Osmani, duke theksuar se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Unionit ka qenë e mbushur me sfida jashtëzakonisht të vështira, por asnjëherë nuk ka munguar qartësia strategjike rreth prioritetit tonë të parë lidhur me politikën e jashtme për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në seancën me titull “Zgjerimi i BE-së: domosdoshmëria e re gjeopolitike”, Osmani tha se koncepti “Gjithçka ose asgjë” nuk ofron përfitime për qytetarët para anëtarësimit të plotë formal. Prandaj, sipas Osmanit, koncepti “Më shumë integrim, para anëtarësimit të plotë” paraqet zgjidhjen më të mirë të mundshme.

“Besoj se koncepti i integrimit të përshpejtuar dhe gradual, të cilin e quajtëm “Më shumë integrim përpara anëtarësimit” do të japë përfitime të prekshme edhe në këtë fazë të procesit të anëtarësimit. Pres të ftohen partnerët nga Ballkani Perëndimor, të cilët janë 100% në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së për të marrë pjesë në takimet e Këshillit të Punëve të Jashtme, për të fituar qasje në Tregun e Vetëm të BE-së dhe në fondet strukturore dhe kohezive" theksoi Osmani.

Në seancën kushtuar zgjerimit të Unionit, krahas Ministrit Osmani, me fjalimet e tyre morën pjesë edhe Zëvendëskryeministrja për Integrime Europiane dhe Euroatlantike të Ukrainës, Olga Stefanishina; Ministri i Europës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani; Ministrat për Çështje Europiane të Republikës Çeke dhe të Malit të Zi, Martin Dvorak dhe Majda Gorçeviq; Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian, Gert Jan Kopman; Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Mirosllav Lajçak; Ambasadori amerikan në Serbi, Kristofer Hill, si dhe ish-Komisioneri Europian për Zgjerim, Shtefan Fyle.