Kovaçevski: Mbështetja tridhjetëvjeçare e Bankës Botërore vendosi rrugë solide për rritje dhe zhvillim më të shpejtë ekonomik, gjë që na lehtëson rrugën tonë drejt BE-së

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalom në shënimin e 30 vjetorit të themelimit të bashkëpunimit dhe partneritetit ndërmjet Bankës Botërore dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në vazhdim e përcjellim deklaratën integrale të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski:

“I nderuari dekan i Fakultetit Ekonomik në Shkup, Profesor Tërpeski,

Fillimisht, ju falënderoj që arritët të mblidhni të gjithë ose shumicën e ekonomistëve më të rëndësishëm në një vend, së bashku me Bankën Botërore, dhe në këtë mënyrë të festojmë 30 vjetorin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Botërore, dhe një falenderim të madh për Fakultetin Ekonomik.

E nderuara nënkryetare e Bankës Botërore, Antonella Basani,

I nderuar drejtor Shaoqin Ju,

I nderuar drejtor, Masimiliano Paoluçi,

Të nderuar ministra,

Të dashur akademikë,

profesorë universiterë, përfaqësues të Bankës Botërore,

I nderuar Dejan Nikolovski, shef i Departamentit të Borxhit Publik dhe Financave Ndërkombëtare në Ministrinë e Financave, i cili çdo ditë bashkëpunon me Bankën Botërore dhe FMN-në dhe nga i cili varet dinamika e zbatimit të të gjitha këtyre aktiviteteve  bashkë me kolegët e tij.

Sot jemi këtu bashkërisht të shënojmë tridhjetë vjetorin e bashkëpunimit dhe partneritetit të suksesshëm ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe një prej institucioneve më të mëdha financiare në botë, Bankës Botërore.

Kjo kënaqësi e përbashkët, në të cilën marrin pjesë institucionet shtetërore, të cilat janë në kuadër të Qeverisë, por edhe Banka Popullore, është një bashkëpunim jashtëzakonisht i rëndësishëm, para së gjithash, për qytetarët tanë, jo vetëm për shkak të mbështetjes financiare që marrim nga Banka Botërore, por veçanërisht për shkak të transferimit të njohurive dhe ekspertizës, të cilat padyshim na çojnë drejt zbatimit të  qëllimeve dhe vlerave tona strategjike.

Për tridhjetë vjet, Banka Botërore është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe mbështet zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë përmes projekteve investive të realizuara me vlerë afër tre miliardë dollarë në fusha të ndryshme, të cilat natyrisht kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe ekonomisë.

Portofoli aktual që Banka Botërore ka në Maqedoninë e Veriut kap vlerën e mbi 400 milionë eurove, projekte prej të cilave një pjesë tashmë janë në fazën e realizimit dhe të cilat janë në fushën e infrastrukturës, forcimit të konkurrencës, energjetikës dhe fusha të tjera.

Partneriteti ynë i kahershëm me Bankën  reflektohet përmes realizimit të projekteve të shumta në fushën e infrastrukturës rrugore, ndërtimin e kopshteve dhe shkollave, zhvillimin e rrugëve, lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, lidhjen e rrugëve lokale, modernizimin e bujqësisë, avancimin e shërbimeve sociale, avancimin e arsimit fillor, praktikisht në të gjitha fushat e jetës sonë.

Banka Botërore ishte partneri ynë më i madh në përcaktimin e politikave dhe masave që u ndërmorën si pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për ballafaqimin me pasojat e pandemisë Kovid-19, kur ndihma ishte më se e mirëpritur dhe e nevojshme. Banka na ka mbështetur financiarisht përmes një projekti emergjent dhe përmes njohurive në modelimin e masave përmes të cilave kemi mbrojtur grupet e cenueshme të qytetarëve dhe kompanive.

Në mënyrë të përshpejtuar  i ndanë mjetet financiare vendit tonë, por fatkeqësisht për shkak të bllokimeve që patëm në Kuvend nga ata që nuk kanë nevojë as të blejnë makinë, kredia u vonua, por në fund gjithsesi erdhën mjetet financiare nga Banka Botërore dhe iu dedikuan atyre që kanë më shumë nevojë.

E njëjta praktikë ka vazhduar edhe gjatë periudhës kur jemi përballur me krizën energjetike, kur së bashku me Bankën Botërore kemi punuar në modelimin e masave të caktuara që janë ndërmarrë dhe zbatuar nga Qeveria.

Me këtë rast do të numëroj vetëm disa nga projektet e përbashkëta, edhe pse lista është shumë e gjatë.

- 50 milionë euro për ndërtimin e Platformës së re logjistike-shpërndarëse në Shkup, me të cilën e promovojmë fuqishëm sektorin e bujqësisë dhe hapim vende të reja pune.

- Modernizuam dhe vazhdojmë të modernizojmë infrastrukturën tonë rrugore.

- Në kuadër të Projektit të Rrugëve Lokale janë siguruar 70 milionë euro për rehabilitimin, rikonstruksionin dhe përmirësimin e 450 kilometrave të rrugëve lokale në 80 komuna të vendit.

- Ndërsa, me zbatimin e Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, ishte paraparë lehtësimi i procedurave dhe zvogëlimi i kostove të importit dhe eksportit në vendet e rajonit.

- Ndërtojmë edhe kopshte, zgjidhim problemet dekadash të qytetarëve në të gjithë vendin. Si asnjëherë më parë, kjo Qeveri ka investuar më së shumti mjete për hapjen e institucioneve të arsimit parashkollor.

Që nga fillimi i mandatit të Qeverisë kemi hapur gjithsej 83 objekte për arsimin parashkollor.

Para pak kohësh vizituam institucionin më të madh të ndërtuar për zhvillim të  fëmijërisë së hershme në vend, Institucionin publik – çerdhen “Ylberi” në Strumicë. Ku vetëm në një objekt janë akomoduar 300 fëmijë.

Ky kopsht është ndërtuar në kuadër të Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, të cilin po e zbatojmë në bashkëpunim me Bankën Botërore, për periudhën nga tetori 2018 deri në qershor 2024.

Projekti parashikon zgjerimin dhe përmirësimin e  në shërbimet sociale dhe cilësinë e tyre, duke përfshirë shërbimet e institucioneve për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve dhe ato të dedikuara për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve.

Ky projekt është gjithashtu në drejtim të arritjes së qëllimeve përfundimtare të Qeverisë për zbutjen e varfërisë dhe forcimin e kapitalit njerëzor përmes  përforcimit të sistemit të përgjithshëm për ofrimin e mbrojtjes sociale.

Mbështetja nga Banka Botërore vazhdon përmes pakos së re të nëntë të masave kundër krizës, ku parashikohen kredi të volitshme për komunat për investime në efikasitetin e energjisë, me qëllim të uljes së konsumit të energjisë elektrike. Për këtë qëllim janë ndarë 10 milionë euro.

Njëkohësisht, janë siguruar 5 milionë euro për Fondin e Efikasiteti të Energjisë në Bankën e Zhvillimit, në bashkëpunim me Bankën Botërore, me qëllim financimin e projekteve në efikasitetin e energjisë dhe burimet e ripërtërishme të energjisë, masë kjo e cila duhet të sigurojë uljen e konsumit të energji elektrike për sektorin publik dhe privat.

Më gëzon fakti që me Kornizën e re të Partneritetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bankën Botërore për periudhën 2024-2028, ndjeshëm do të rritet mbështetja financiare për vendin tonë  dhe do të jetë gati dyfish më e lartë se më parë.

Këtu dua të falënderoj edhe përfaqësuesen tonë, ish-këshilltaren time Dr. Nina Fiti në Bankën Botërore, e cila së bashku me zëvendës presidentin Basani dhe kolegë të tjerë në Uashington punojnë ditë e natë për realizimin e kësaj mbështetjeje financiare dhe projekteve për vendin tonë.

Fokusi kryesor në financimin e projekteve do të jetë në pjesën e financimit të infrastrukturës, përforcimit të kapaciteteve energjetike, mbrojtjes së mjedisit jetësor, kapitalit njerëzor, si dhe përmirësimit të mjedisit konkurrues për kompanitë në vend.

Kjo kornizë përfshin prioritetet e Qeverisë të paraqitura në dokumentet strategjike kombëtare dhe në Programin për Rritje Ekonomike, i cili përmban edhe reformat kyçe, të miratuara me Bashkimin Evropian dhe në të cilat kanë punuar më drejtpërdrejt zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministri i Financave Besimi. së bashku me Ministrin e Punës dhe Politikës Sociale.

Me këtë rast dëshiroj të theksoj se mbështetja tridhjetëvjeçare e Bankës Botërore përcakton shtigje solide për zbatimin e reformave që çojnë drejt arritjes së rritjes dhe zhvillimit më të shpejtë ekonomik, duke lehtësuar kështu rrugën tonë drejt përmbushjes së qëllimit tonë të deklaruar, që është anëtarësimit në BE.

Ju falënderoj për besimin me të cilin kemi ndërtuar partneritetin tonë ndër vite, i cili shpresoj dhe pres që të zgjasë edhe për shumë vite të tjera, dhe një falënderim të madh për kolegët e mi në Qeveri me të cilët së bashku kemi siguruar krijimin e suksesshëm dhe realizimi i projekteve kyçe me rëndësi të madhe për qytetarët.

Le të vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunim të suksesshëm dhe projekte të suksesshme!

Së fundi, unë dhe nënkryetarja Basani kemi një bashkëpunim të madh dhe një rivalitet sportiv, mbështesim dy klube të ndryshme futbolli, nuk do të zbuloj se kush janë dhe nuk do të zbuloj se si brohorasim dhe përshëndesim klubet tona, por në atë stil në gjuhën e zonjës Basani do ta përfundoj – Forca Maqedoni, forca Banka Banka Mundiali”.