Nga mbledhja e 189-të: Është miratuar vendimi për formimin e grupit punues për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për çështjet e ngritura nga Sindikata e AOGJSH, me ç'rast u mundësua funksionim i pandërprerë i sistemit gjyqësor

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin nga Ministria e Drejtësisë për gjetjen e zgjidhjes për kërkesat aktuale dhe situatat e konstatuara nga gjykata, prokuroria publike dhe punonjësit e organeve të administratës shtetërore.

Qeveria vendosi që brenda shtatë ditëve të formojë një grup pune të përbërë nga ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimeve dhe përfaqësues nga Sindikata e AOGJSH-it, për të gjetur zgjidhje në lidhje me kërkesat dhe situatat e parashtruara nga gjykata, prokuroria publike dhe punonjësit e organeve të administratës shtetërore.

Vendimi i Qeverisë vjen pasi Ministria e Drejtësisë u njoftua se në bisedimet me Sindikatën e AOGJSH-it është shprehur vendosmëria nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, për të mos penguar procesin e zhvendosjes së lëndëve në gjykata dhe prokurori publike.

Me konkluzionin e sotëm të qeverisë, praktikisht është mundësuar funksionimi i papenguar i sistemit të drejtësisë, gjatë bisedimeve në mes të grupit punues dhe Sindikatës së AOGJSH-it.

Qeveria në këtë mbledhje ka shqyrtuar procesverbalin e mbledhjes së Komisionit Menaxhues për Koordinim dhe Menaxhim në Sistemin e Menaxhimit të Krizave, me të cilin anëtarët e Qeverisë janë njohur me situatën lidhur me praninë e shtuar të arinjve në vendbanimet e komunës Mavrovë dhe Rostushë.

Qeveria shqyrtoi masat parandaluese të propozuara nga ana e ministrive kompetente, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, me ç’rast është shprehur pritje për zbatim efikas të masave.

Përkatësisht, në periudhën më të shkurtër kohore, do të hiqen të gjitha mbeturinat më të vogla dhe më të mëdha të cilat janë në afërsi të drejtpërdrejtë në vendbanime ose në vetë vendet e populluara, të cilat paraqesin një burim tërheqës për ariun. Për këtë qëllim vetëqeverisja lokale, në bashkëpunim me Institucionin publik Parku Nacional Mavrovë, sipas kompetencave të tyre, duhet të kenë qasje drejt zgjidhjes së çështjes, me qëllim të pastrimit në kohë të mbeturinave (deponive të egra) nga të gjitha vendet e populluara, si dhe nga rrugët lokale.

Me masat e vendosura parandaluese, parashikohet kontrolli i të gjitha objekteve shoqëruese në të cilat ruhet ushqimi, të cilat mund të jenë lehtësisht të aksesueshme dhe që janë afër vendbanimit; mbyllja e të gjitha vendeve të deponimit të mbeturinave komunale me një gardh të përshtatshëm metalik të sigurisë; sigurimi i objekteve të posaçme për ruajtjen e arinjve jashtë zonave të banuara; sigurimi i pronave, veçanërisht në vendet ku mbahen bagëtitë, bletët e të tjera, me pajisje të standardizuara me tension elektrik; fjetja dhe dislokimi i arinjve, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore dhe institucionet shkencore; përdorimi i mjeteve parandaluese të frikësimit dhe parandalimit, si dhe përdorimi i organizuar i mjeteve për të frikësuar arinjtë.

Masat e domosdoshme parandaluese, siç është kumtuar nga ana e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor janë propozuar dhe ndërmarrë, në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, duke marrë parasysh se ariu i murrmë (Ursus arctos), sipas Ligjit për gjueti, është një specie për të cilën është paraparë një ndalim i përhershëm i gjuetisë. Aktivitetet u ndërmorën pas njoftimit të Institucionit Publik Parku Nacional Mavrovë, për praninë e shpeshtë të ariut të murrmë në territorin e PN Mavrovë, ku sipas informacioneve ka pasur dëmtime në bagëti, në kolonitë e bletëve dhe pronë.