Kovaçevski: Maqedonia e Veriut është lider në tranzicionin energjetik, po bëhemi qendër e gjelbër energjetike në rajon

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në seancën e sotme të Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve, theksoi se Qeveria ka udhëhequr një politikë të suksesshme që nga fillimi i krizës ekonomike dhe energjetike, para së gjithash në fushën e furnizimit me energji elektrike pa ndërprerje gjatë gjithë vitit të kaluar.

Kryeministri Kovaçevski potencoi se në vazhdimësi po krijohen masa për sigurimin e subvencioneve dhe mjeteve financiare për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve, si dhe subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike, e cila ofrohet për të gjitha amvisëritë dhe për të gjitha kompanitë në tregun e rregulluar.

“Qeveria nuk lejoi rritje të mëdha të çmimeve, së pari sepse prodhimi i energjisë elektrike përmes objekteve prodhuese të EMV-së u rrit në nivelin më të lartë të mundshëm dhe për këtë, në muajt më të vështirë të këtij dimri që lamë pas, patëm ditë kur eksportuam energji elektrike. Subvencionet kanë mundësuar që qytetarët të paguajnë rrymën 80% më pak se çmimi i tregut dhe sot kemi subvencionim për energjinë elektrike për qytetarët sepse nuk ka ndryshim në çmimin e energjisë elektrike”, tha Dimitar Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve në seancën e sotme parlamentare.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se rritja e prodhimit vendor të energjisë elektrike përmes investimeve në projekte të reja infrastrukturore energjetike nga ana e shtetit përmes SHA EMV, bazuar në burimet e ripërtëritshme të energjisë, është mënyra e duhur për të siguruar pavarësinë energjetike të Maqedonisë së Veriut.

“Mandati i kësaj Qeverie nga 16 janari i vitit të kaluar e deri më sot do të mbahet mend si mandati në të cilin është instaluar kapaciteti më i madh i burimeve të ripërtërishme të energjisë. Aktualisht janë instaluar 420 megavat energji e ripërtërishme, duke pasur parasysh licencat e lëshuara deri në fund të vitit do të jenë 600 megavat energji të rinovueshme që në krahasim me periudhën e vitit 2016 kur ishin instaluar vetëm 16 megavat është një rritje e madhe. Kjo e bën vendin tonë prodhuesin më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë në tërë rajonin. Po të shikoni mediat botërore, do të shihni se nesër në vend do të vihet në punë termocentrali më i madh fotovoltaik në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me një fuqi prej 55 megavat, që është gati sa gjysma e kapacitetit të një nga blloqet në termocentralet”, tha Kryeministri Kovaçevski në seancën e sotme të Kuvendit.