Kovaçevski: Po investojmë në rrugë bashkëkohore dhe të sigurta, me autostradën Rankovc-Kriva Pallankë dhe Korridorin 8 po tërheqim investitorë të rinj dhe po krijojmë vende të reja pune

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me ministrin për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, sot kanë inspektuar aktivitetet ndërtimore të autostradës Rankovc- Kriva Pallankë.

Vlera totale e realizimit është 62.5 milionë euro, mjete të siguruara nga Banka Botërore.

Në këtë manifestim morën pjesë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Ljupço Nikollovski, si dhe kryetari i komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski.

“Jemi këtu për të mirëpritur dinamikën e punimeve ndërtimore në këtë aks rrugor, i cili është pjesë e Korridorit 8, përfundimi i së cilit së bashku me Korridorin 10-d, është projekti më i madh infrastrukturor i vendit tonë deri më tani.

Me ardhjen tonë këtu, për të inspektuar ndërtimin dhe zbatimin e drejtimit rrugor Kriva Pallankë-Dllaboçicë-Stracin si pjesë e Korridorit ndërkombëtar 8, dëshirojmë të dërgojmë mesazh se sigurimi i rrugëve bashkëkohore, të ndërtuara sipas standardeve evropiane, është e prioriteti jonë numër një në realizimin e qëllimit tonë strategjik, që është lidhja më e shpejtë rrugore e shtetit me rajonin dhe botën dhe shndërrimi i tij në udhëkryq bashkëkohor infrastrukturor, investitor dhe ekonomik”, theksoi Kryeministri Kovaçevski gjatë inspektimit të aksit rrugor, i cili tha se pret që realizimi i këtij aksi rrugor të përfundojë në afatin kohor të parashikuar, deri në mesin e vitit të ardhshëm, mundësisht më shpejt, në mënyrë që qytetarët të mund të shijojnë sa më shpejt të mirat e një infrastrukture bashkëkohore rrugore, të cilat i gëzojnë të gjithë qytetarët evropianë

 Ai theksoi se ndërtimi i akseve rrugore që janë pjesë e Korridorit 8 do të sjellë përfitime të gjera për qytetarët tanë, sepse do të lidhin vendin tonë me portin e Varnës në lindje dhe me portin e Durrësit në perëndim.

 “Suksesi në arritjen e këtij qëllimi për ne si Qeveri do të jetë sukses për Maqedoninë e Veriut, e cila në këtë mënyrë do të fitojë me çmim si shtet i prosperuar dhe stabil, tërheqës për investitorët e huaj. Në këtë mënyrë do të ndihmojmë vazhdimisht vendin tonë në ofrimin e vendeve të reja të punës dhe hapjen e kompanive të reja, të cilat do të jenë konkurruese në tregjet botërore. Por jo vetëm kaq. Lidhja ndërkombëtare e vendit tonë do të rrisë qarkullimin edhe në të gjithë sektorët e tjerë si turizmi, hoteleria, prodhimi ushqimor dhe në përgjithësi do të stimulohet rritja e ekonomisë dhe shtimi i vendeve të punës”, tha Kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se nga viti 2017 deri në vitin 2022 janë investuar mbi 1 miliard euro në ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se vetëm në tre vitet e fundit, në kushtet e krizës shëndetësore, ekonomike dhe energjetike, vlera e investimeve kapitale ka arritur në 1.1 miliardë euro dhe se janë ndërtuar dhe rehabilituar 44 rrugë të shpejta, magjistrale dhe rajonale. Ai po ashtu ka theksuar se vitin e kaluar është regjistruar një realizim rekord i investimeve kapitale prej 465 milionë euro, që është 60% më shumë se në vitin 2014.

“Filloi edhe ndërtimi i hekurudhës nga Korridori 8, investim me vlerë prej mbi 600 milionë euro. Për herë të parë po lidhim vendin tonë me perëndimin dhe lindjen, si plotësues i infrastrukturës rrugore në trasenë veri-jug. Ne po bëjmë investime të mëdha dhe po konfirmojmë politikat tona të fqinjësisë së mirë, të cilat janë në krye të agjendës sonë në rrugën drejt integrimit evropian. Ne investojmë në rrugë të sigurta dhe bashkëkohore sepse kujdesemi për qytetarët tanë, vendin tonë dhe pozicionimin e tij në rrugën botërore të transportit”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski, foli për rëndësinë e këtij aksi rrugor si pjesë e Korridorit 8.

“Me ndërtimin e autostradës Rankovc – Kriva Pallankë, dhe krahas rindërtimit dhe zgjerimit me një korsi të tretë shtesë deri në pikën kufitare Deve Bair me Bullgarinë, do të kemi një Korridor 8 të plotë rrugor  në pjesën lindore, që do ta bëjë vendin tonë një qendër kryesore transitore në Ballkan dhe do të kontribuojë në përforcimin ekonomik të të gjithë rajonit. Korridori 8 ka një vlerë dhe rëndësi të veçantë ekonomike dhe sociale.

Po bëjmë gjithçka që ndërtimi i tij të përfundojë sa më shpejt, si në këtë pjesë ashtu edhe në pjesën perëndimore të Korridorit, ku nisëm me realizimin e investimit më të madh në infrastrukturën rrugore në vend, me ndërtimin e autostradave nga Tetova në Gostivar, përmes Strazhës deri në Kërçovë dhe nga Trebenishti deri në pikën kufitare të Qafë Thanës, me çka Korridori 8 në tërësi do të jetë lidhje moderne rrugore”, theksoi ministri Boçvarski.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi deklaroi:

“Kemi kryer rehabilitimin e rrugës magjistrale Kumanovë-Straçin në gjatësi prej 32 km dhe vlerë totale prej 13 milionë euro, e cila është me rëndësi jetike jo vetëm për rajonin, por edhe për mbarë vendin.

Rruga nga Rankovci në Kriva Pallankë është rehabilituar dhe rikonstruktuar në gjatësi prej 21 kilometrash, ndërsa rikonstruimi me rehabilitimin dhe ndërtimin e një korsie po bëhet edhe në rrugën shtetërore Kriva Pallankë-Deve Bair në gjatësi prej 13 km, projekt ky i financuar me mjete nga BERZH-i në vlerë prej 12 milionë euro, ku ecuria fizike e punimeve është 75%. Gjithashtu, është duke u përgatitur edhe dokumentacioni i projektit për rehabilitimin e rrugës shtetërore A2, rruga qarkore e Kriva Pallankës”.

Drejtimi rrugor Kriva Pallankë-Dllaboçicë-Stracin është pjesë e Korridorit ndërkombëtar 8 dhe është e një rëndësie të madhe për lidhjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Shqipërinë dhe ka rëndësi të madhe gjeopolitike për vendin tonë. Me ndërtimin e këtij aksi rrugor do të shkurtohet koha e udhëtimit, do të sigurohet trafik më i sigurt, më komod dhe i pandërprerë, si dhe do të inkurajohet rritja ekonomike, duke përmirësuar tregtinë, qasjen gjeografike dhe lëvizshmërinë e njerëzve.