Kovaçevski: Mbështetje e fuqishme nga SHBA-të për iniciativat rajonale ekonomike-energjetike

Kryeministri Dimitar Kovaçevski , para ceremonisë solemne të hapjes së ndërtimit të terminalit të gazit natyror të lëngshëm në Aleksandrupoli,u takua me ambasadorin amerikan në Greqi, Xhefri Pajat dhe ambasadoren e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Kejt Mari Bërnz.

Në takim morën pjesë edhe ministri për Ambient Jetësor dhe Energji i Republikës së Greqisë, Kostas Skrekas, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike dhe koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Në takim me fokus në iniciativat energjetike-ekonomike, Kryeministri Kovaçevski shprehu mirënjohjen për mbështetjen e përgjithshme që Maqedonia e Veriut merr nga Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi dhe për rëndësinë e projektit strategjik energjetik për të gjithë rajonin.

Kovacçevski dhe Pajat diskutuan për rëndësinë e zhvillimit të projektit rajonal energjetik "Aleksandrupoli", i cili hap mundësinë për furnizim të sigurt me gaz natyror nga furnizues të ndryshëm, diversifikimin e burimeve dhe një rrugë për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin për t'u bërë të pavarura në aspektin energjetik.

Kryeministri Kovaçevski i informoi ambasadorët Pajat dhe Bërnz për proceset aktuale ekonomike në Maqedoninë e Veriut, për të gjitha masat aktuale të ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e pasojave të krizës energjetike të shkaktuar nga agresioni ushtarak në Ukrainë dhe për planet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit ekonomik me fokus në investimin në një tranzicion të suksesshëm të energjisë.

Ambasadori Pajat shprehu angazhimin e fuqishëm për intensifikimin e partneritetit strategjik, për rëndësinë e ngjarjes së sotme në fillimin e ndërtimit të terminalit të gazit natyror të lëngshëm në Aleksandrupoli, i cili është një tjetër kontribut i madh në përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.