Nga mbledhja e 221-të e Qeverisë: Nisma për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për masat kufizuese dhe ligjet tjera; Janë përcaktuar tekstet e dy propozim ligjeve të reja, për arsim të mesëm dhe për arsim dhe aftësim profesional;

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, diskutoi për propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për masat kufizuese dhe me konsensus, njëzëri  shprehu vullnet politik që  Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut t'i dorëzohet një ligj, i cili do të harmonizohet me legjislacionin e Maqedonisë.

Qeveria në mbledhjen e sotme  përcaktoi tekstin e propozim ligjit të ri për arsimin e mesëm.

Qëllimi, sipas propozuesit, Ministrisë së Arsimit, është që të mundësohet avancimi i sistemit të arsimit të mesëm, i cili drejtpërdrejt do të ndikojë në cilësinë e sistemit të përgjithshëm arsimor në vend. Nxënësit, siç thuhet në Shpjegim, në procesin e arsimit të mesëm do të fitojnë njohuri dhe shkathtësi, me të cilat do të mund të vazhdojnë shkollimin e mëtutjeshëm, por njëkohësisht do t'i bëjë nxënësit  konkurrues në tregun e punës dhe do t'ua lehtësojë rrugën për punësim ose vetëpunësim.

Një risi e veçantë që vendoset është në kapitullin “Provimet në përfundim të arsimit të mesëm”, gjegjësisht vendosja e maturës profesionale dhe provimit akademik pranues. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit të mesëm, siç është paraparë, nxënësit japin provimin e maturës shtetërore, ose maturës shkollore. Pas përfundimit të vitit të fundit në Programin ndërkombëtar për arsim të mesëm (programi IB), nxënësit japin provimin e maturës ndërkombëtare dhe/ose maturës shtetërore. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit profesional katërvjeçar, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës profesionale.

Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit profesional me kohëzgjatje dy ose trevjeçare, nxënësit i nënshtrohen provimit përfundimtar. Pas përfundimit të vitit të fundit të arsimit të mesëm të artit, nxënësit i nënshtrohen provimit të maturës së artit. Konceptin për provimet në fund të arsimit të mesëm e përpilon Qendra Shtetërore e Provimeve dhe me propozim të Këshillit shtetëror të maturës-akademike, përcakton Ministri.

Nxënësit që dëshirojnë të vazhdojnë shkollimin në institucionet e arsimit të lartë dhe plotësojnë të paktën një nga kushtet, i nënshtrohen provimit akademik pranues për t'u regjistruar në arsimin e lartë; janë regjistruar në vitin e katërt të arsimit të mesëm profesional ose të mesëm të artit; të kenë përfunduar arsimin e mesëm profesional katërvjeçar dhe të kenë dhënë provimin e maturës profesionale; të kenë përfunduar arsimin e mesëm të artit dhe të kenë dhënë provimin e maturës së artit ose të kenë vendim për njohjen e një diplome për arsimin e mesëm të kryer jashtë vendit e cila është e barabartë me arsimin e mesëm profesional katërvjeçar ose arsimin e mesëm artistik në vend.

Një risi ka edhe në kapitullin “Të drejtat dhe detyrimet e nxënësve dhe organizimi dhe pjesëmarrja e nxënësve”. Çdo punonjës i shkollës, sipas dispozitave, është i detyruar të kujdeset për interesin më të mirë të nxënësit dhe të respektojë dinjitetin e tij, si dhe të drejtat e tij në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës. Ndalohet abuzimi dhe ndëshkimi fizik, mendor dhe seksual i nxënësit dhe sjellja dhe trajtimi poshtërues ndaj tij. Në shkollat ​​e mesme, nxënësit organizohen lirisht në bashkësi klasash dhe këshilla nxënësish. Nxënësit kanë të drejtë të organizohen lirisht në një këshill të nxënësve në nivel vendor dhe rajonal, në Unionin e gjimnazistëve në nivel nacional, ose në forma të tjera, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore të tjera. Në punën e këshillit të shkollës, organeve dhe organeve profesionale të shkollës dhe në Këshillin e prindërve marrin pjesë përfaqësues të nxënësve të zgjedhur nga këshilli i nxënësve.

Qeveria përcaktoi edhe tekstin e propozim ligjit të ri për arsimin dhe aftësim  profesional.

Ligji për arsimin dhe aftësimin profesional, i cili aktualisht është në zbatim, është miratuar në vitin 2006 dhe reforma në arsimin dhe aftësimin profesional, sipas propozuesit, Ministrisë së Arsimit, është e lidhur ngushtë me ndryshimet në tregun e punës dhe nevojën për një model të arsimit dhe aftësimit  profesional që synon krijimin e burimeve njerëzore për nevojat e tregut të punës, nëpërmjet punësimit apo vetëpunësimit.

Miratimi i Ligjit të ri për arsimin dhe aftësimin profesional është në përputhje me Strategjinë e arsimit 2018-2025, e cila përcakton si prioritete: 1) Harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës; 2) Përmirësimi i mjedisit mësimor dhe i cilësisë së arsimimit dhe aftësimit profesional; 3) Rritja e përfshirjes në arsimin dhe aftësimin profesional dhe 4) Përmirësimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore.

Miratimi i Ligjit të ri për arsimin dhe aftësimin profesional është përcaktuar edhe me Planin vjetor të punës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, shqyrtoi dhe miratoi Strategjinë kombëtare për shëndetin mendor të të rinjve  2024-2026.

Qëllimi është të kontribuohet në përmirësimin e shëndetit mendor të të rinjve, pasi mirëqenia e të rinjve do të jetë një shtytës aktiv i zhvillimit shoqëror.

 

Strategjia udhëhiqet nga Agjenda 2030 dhe parimet e përgjithshme të Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së.

Strategjia tregon nevojën për një qasje të dyanshme për përfshirjen e të rinjve në politikat, programet, sektorët përkatës, në nivel nacional dhe vendor, si dhe veprime të fokusuara për forcimin e shëndetit të tyre mendor. Gjithashtu i referohet zhvillimit të një sistemi bashkëpunimi ndërmjet sektorëve të arsimit, social dhe shëndetësor, si dhe promovimit të integrimit ndërmjet shërbimeve të shëndetit mendor dhe sektorëve të tjerë përkatës, si arsimi, shërbimet sociale dhe mbështetja e punësimit.

Gjatë miratimit të Strategjisë rekomandohet formimi i një Trupi Koordinues nacional të të gjithë bartësve të aktiviteteve dhe projekteve, i cili do të monitorojë zbatimin e Strategjisë.

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, shqyrtoi Informatën për miratimin e Strategjisë së kapitalit njerëzor të Republikës së Maqedonisë së Veriut 2024-2030 dhe miratoi Strategjinë e propozuar.

Qëllimi i Strategjisë është të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve të kapitalit njerëzor në vend. Në të njëjtën kohë, në fokus të Strategjisë janë tre fusha kyçe dhe të ndërlidhura: arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, me synim forcimin dhe përmirësimin e kapitalit njerëzor, për zhvillim gjithëpërfshirës.

Qëllimet e Strategjisë janë gjithashtu të identifikojë sfidat kryesore, duke ofruar një pamje afatgjatë të disa prej reformave që do të nevojiten për t'iu përgjigjur sfidave ekzistuese, si dhe prioritetet e reformës që do të përmirësojnë dhe mbështesin rrugën drejt prosperitet më të madh.

Për sa i përket kornizës kohore, Strategjia ka për qëllim të sigurojë një udhërrëfyes për agjendën e kapitalit njerëzor deri në vitin 2030.