Nga mbledhja e 13-të e Qeverisë: Vazhdojnë aktivitetet për finalizimin e përgatitjes së Agjendës reformuese 2024-2027, në kuadër të Planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe miratoi Informatën nga Sekretariati për Çështje Evropiane, për statusin e përgatitjes së Agjendës reformuese 2024-2027, në kuadër të Planit për rritje për vendet nga Ballkani Perëndimor.

Ngarkohen zëvendësi i parë i Kryetarit të Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane dhe ministri i Financave që menjëherë pas finalizimit të versionit të Agjendës reformuese, ta dorëzojnë te  Komisioni Evropian, me qëllim të vazhdimit të diskutimeve dhe finalizimin e të njëjtave.

Në përputhje me marrëveshjen me Komisionin Evropian, qeveritë e secilit vend të rajonit do të duhet të miratojnë dhe të harmonizojnë me Bashkimin Evropian - Agjendën reformuese, e cila do të paraqesë një pako gjithëpërfshirëse dhe koherente e masave për arritjen e qëllimeve të synuara, dhe pagesat do të kushtëzohen me realizimin e hapave kualitative dhe kuantitative në lidhje me masat për periudhën 2024-2027.

Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi Propozimin për nisjen e procedurës për zhvillimin e negociatave për lidhjen e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për bashkëpunim në fushën e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe abuzimit të fëmijëve të cilët janë viktima të tregtisë me njerëz dhe e shqyrtoi dhe pranoi Draft-tekstin e Protokollit, të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nënshkrimi i Protokollit, sipas informacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka për qëllim të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit të sigurisë ndërmjet ministrive të punëve të brendshme të dy shteteve, veçanërisht në parandalimin dhe luftën kundër të gjitha formave të trafikimit me njerëz dhe abuzimin e fëmijëve viktima të trafikimit me njerëz.

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, shqyrtoi dhe miratoi Informatën për hyrjen dhe qëndrimin e forcave të armatosura të huaja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me qëllim të pjesëmarrjes në stërvitjen “Resolute Castle 24” dhe miratoi këtë Vendim.

Stërvitja, siç sqarohet, është pjesë e Planit për organizimin dhe pjesëmarrjen e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në stërvitje me karakter ndërkombëtar për vitin 2024 dhe 2025 dhe organizohet nga Komanda e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë dhe planifikohet të zhvillohet në Poligonin e Armatës “Krivolak”, në periudhën nga 12 prilli deri më 19 korrik 2024, me pjesëmarrjen e 270 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 70 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë, kurse Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë me 60 pjesëtarë.

Anëtarësimi i plotë në NATO kërkon pjesëmarrje aktive në aktivitetet e përbashkëta stërvitëse, me çka rriten edhe aftësitë mbrojtëse të Aleancës për mbrojtje dhe refuzim, në kuadër të së cilës përfshihet edhe kjo stërvitje.

Qeveria, po ashtu me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, miratoi Vendim për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në stërvitjen “Saber Strike 24” në Republikën Federale të Gjermanisë dhe Republikën e Polonisë.

Stërvitja "Saber Strike 24" organizohet nga Komanda Evropiane e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilën, krahas pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është paraparë që pjesëmarrje të marrin edhe përfaqësues nga  Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Polonia, Kroacia, Holanda, Italia, Lituania, Belgjika, Spanja dhe Republika Çeke. Stërvitja, sipas ministrisë së linjës, do të kontribuojë në rinovimin e njohurive të marra dhe marrjen e njohurive shtesë të personelit të Armatës, për përgatitjen e njësive për ekzekutimin e operacioneve të përbashkëta multinacionale.