Nga mbledhja e 170-të tematike e Qeverisë për Kornizën e re për Partneritet me Bankën Botërore: Një sinjal i fuqishëm se vendi është në rrugën e duhur

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhje tematike kushtuar Analizës së Bankës Botërore për Kornizën e re të Partneritetit të Bankës Botërore me vendin tonë.

Qëllimi kryesor i Kornizës së re të Partneritetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bankën Botërore për periudhën 2024-2028 është arritja e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të gjelbër.

Në mbledhje ishin të pranishëm përfaqësues të Bankës Botërore në vendin tonë, ndërsa Analizën e prezantuan para Qeverisë drejtoresha rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Shiaoçin Ju dhe drejtori i Bankës Botërore në vend, Masimilijano Paoluçi. Në mbledhje mbajti fjalim edhe drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore, Kun Davidse.

Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij përshëndetëse theksoi se mbledhja e sotme tematike e Qeverisë me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore dhe përpunimi i Kornizës së re të Partneritetit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Grupacionit të Bankës Botërore është vazhdimësi e partneritetit shumëvjeçar, i cili këtë vit shënon 30 vjetorin e bashkëpunimit.

“Për Qeverinë bashkëpunimi me Bankën Botërore është i një rëndësie të madhe. Mbështetja që marrim është një sinjal i fortë se jemi në rrugën e duhur. Është një motiv për të vazhduar me politikat dhe proceset reformuese që kanë filluar. Dhe në të njëjtën kohë jep një sinjal për aktorët ndërkombëtarë dhe tregjet financiare ndërkombëtare. Vendosmëria jonë e qartë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian është e dukshme dhe e shënuar në të gjithë dokumentet dhe Programin Propozues të Bankës. Në periudhën e ardhshme na pret shumë punë dhe përkushtim në realizimin e projekteve dhe punës në grup. Së bashku t'i kalojmë sfidat, t'i shfrytëzojmë mundësitë dhe të punojmë për gjeneratat e ardhshme”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se partneriteti me këtë institucion financiar ndërkombëtar është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë sonë në rrugën drejt BE-së.

“Ne si Ministri e Financave po punojmë në vazhdimësi, në koordinim me ministritë e tjera, për të realizuar realizimin aktual të projekteve, por edhe për të vazhduar me projekte të reja që janë vazhdimësi e reformave tashmë të nisura, dhe në drejtim të BE, proceset që do të pasqyrohen në Kornizën e re/Strategjinë e Vendit. Banka tregon qartë se rritja gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe e gjelbër e ekonomisë është prioriteti ynë.

Sot, krahas angazhimeve të Ministrisë së Financave në drejtim të realizimit të prioriteteve tona të përcaktuara qartë si konsolidimi fiskal, programi i PFM-së dhe reformat e tjera strukturore, ne bashkërisht anngazhohemi për avancimin e kapitalit njerëzor, agjendën e gjelbër, shoqëri gjithpërfshirëse për të gjithë”, tha ministri Besimi, i cili është guvernator në Bankën Botërore.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore e theksuan rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të ekonomisë dhe vazhdimësinë e politikave dhe theksuan se Banka Botërore mbetet partnere e Maqedonisë së Veriut në zhvillimin e shtetit dhe do të vazhdojë të mbështesë përmirësimin e kapaciteteve shtetërore në realizimin e këtyre qëllimeve.

Korniza e partneritetit të vendit me Bankën Botërore për periudhën 2024-2028 do të përfshijë prioritetet e Qeverisë të paraqitura në dokumentet strategjike nacionale dhe në Programin për Rritje Ekonomike, i cili përmban edhe reformat kyçe të miratuara bashkërisht me BE-në. Një përcaktim i mirë i prioriteteve është i rëndësishëm për zbatimin e suksesshëm të Programit.

Gjithashtu, Banka Botërore është duke punuar në një Strategji për kapitalin njerëzor, e cila pritet të miratohet në periudhën e ardhshme dhe e cila do të kontribuojë në Kornizën e re për Partneritet me vendin.