Takimi Xhaferi - Begaj: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të përkushtuara për integrimin euroatlantik

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin ndërkombëtar për gra, paqe dhe siguri në Prishtinë, Republika e Kosovës, realizoi një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në takim u shpreh kënaqësi për dialogun e vazhdueshëm politik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve. Bashkëbiseduesit e theksuan përkushtimin e të dyja palëve për marrëdhënie të mira fqinjësore.

Kryeministri Xhaferi dhe Presidenti Begaj, theksuan në takim se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si aleatë në NATO, janë të gatshme për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim të një kontributi më aktiv në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe të komunitetit euroatlantik.

Në takim u këmbyen opinione edhe për integrimet evropiane, si dhe për vazhdimin e proceseve reformuese në të dyja shtetet.