Xhaferi vizitoi Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik: Metodat bashkëkohore të mësimdhënies kryesore për kuadrot me cilësi të lartë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka vizituar Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup. Në takimin me udhëheqësinë e Universitetit, kuadrin shkencor dhe profesional, Kryeministri Xhaferi, u njoftua për funksionimin dhe aktivitetet aktuale që po zhvillohen në këtë institucion të arsimit të lartë. Universiteti përbëhet nga 7 fakultete, përfshin gjithsej 65 fusha në studimet universitare, pasuniversitare dhe të doktoratës.

Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, shprehu kënaqësinë për ekzistimin dhe funksionimin e Universitetit, duke theksuar se institucionet e tilla të avancuara të arsimit të lartë janë të një rëndësie të madhe për arritjet e jashtëzakonshme të studentëve në zhvillimin e mëtutjeshëm profesional të tyre.

Gjatë takimit u bisedua edhe për sfidat në arsimin e lartë në vend, reformat e nevojshme dhe zgjidhjet sistematike, të cilat duhet të zbatohen në arsim, si një nga parakushtet bazë për të prodhuar kuadro cilësore, me ç ‘rast, Kryeministri theksoi se Qeveria gjithmonë ka pasur dhe do të ketë kuptim për nevojat e institucioneve arsimore ku ndërtohet e ardhmja e vendit.

Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, e vizitoi kampusin dhe Fakultetin e Mjekësisë Stomatologjike, Mamisë dhe Infermierisë, ku këtë vit është bërë investimi më i madh në mjekësinë stomatologjike nga ana e Universitetit. Në kuadër të Fakultetit, është themeluar edhe IPSH "IBU DENT" dhe Kryeministri Xhaferi është njoftuar për kushtet dhe shërbimet mjekësore që ofrohen këtu. Me rëndësi të madhe janë pajisjet bashkëkohore me të cilat është pajisur ordinanca, si dhe ekspertiza që ofron ky institucion në kuadër të Fakultetit, me ç’rast studentëve ju mundëson praktikë në kushte reale.