Xhaferi: Kujtimet nga Holokausti i ruajmë nga harresa, që një nga të këqijat më të mëdha të njerëzimit të mos përsëritet kurrë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, mbajti fjalim në shënim e 81-vjetorit të Holokaustit të hebrenjve maqedonas, në lokacionin e ish-Monopolit të Shkupit, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore filloi dëbimi i hebrenjve maqedonas në kampin nazist në Treblinka.

Në të njëjtën kohë, delegacioni qeveritar, i kryesuar nga Kryeministri Xhaferi, bëri homazhe dhe vendosi lule para Monumentit të 7144 hebrenjve të dëbuar maqedonas.

Kjo ngjarje në Shkup është pjesë e Programit përkujtimor treditor 1943-2024, organizuar nga komuniteti hebre në këtë vend dhe Fondi i Holokaustit të Hebrenjve nga Maqedonia, i cili realizohet nën sloganin „Kujtim - 11 Mars, Holokausti i hebrenjtë maqedonas" dhe në të njëjtin, krahas përfaqësuesve të komunitetit hebre, të pranishëm ishin edhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, përfaqësues të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend.


„ I nderuar President i Republikës, Stevo Pendarovski, 

I nderuar nënkryetar i Kuvendit, Goran Misovski,

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë,

I nderuar kryetar i komunitetit Hebre, Pepo Levi,

E nderuar ambasadore e Shtetit të Izraelit, Shkëlqesia juaj Simona Frankel,

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,

Të nderuara përfaqësues të mediave,

Zonja dhe zotërinj,

Data e sotme është skalitur në kujtesën kolektive me pikëllim, hidhërim dhe dhimbjen shumë të madhe të shkaktuar nga deportimi i hebrenjve nga shteti ynë, në kampin nazist në Treblinka, gjatë pushtimit fashist në Luftën e Dytë Botërore.

Nga ky vend, nga ku nis deportimi i 7144 fëmijëve, grave dhe burrave hebrenj nga Maqedonia e Veriut e sotme, të cilët janë në mesin e 6 milionë hebrenjve të vrarë në mënyrë kriminele në kampet naziste në mbarë botën, është shënuar me të kuqe në hartën historike.

Por ne, sot nuk jemi këtu për të hapur plagë nga e kaluara e dhimbshme dhe e errët, por për të dërguar një mesazh të fuqishëm dhe të qartë – se, kujtimet e Holokaustit i ruajmë nga harresa – që asnjëherë të mos përsëritet një nga të këqijat më të mëdha të njerëzimit.  

Si breza të sotëm, jemi të obliguar të hapim shpresë, në emër të të gjitha jetëve të humbura, të brezave të tanishëm dhe mbi të gjitha, në emër të së ardhmes së ndritur - për brezat e ardhshëm. 

Është përgjegjësi e të gjithëve për të ndërtuar një botë në paqe, në të cilën të gjithë qytetarët kanë të drejtë të barabartë për të jetuar në liri.

Kjo është e mundur vetëm nëse ndërtojmë një botë të barabartë kombesh dhe shtetesh, pavarësisht nëse janë të mëdhenj apo të vegjël, të zhvilluar apo në zhvillim, zëri i të cilëve dëgjohet dhe vlerësohet njësoj në rendin global.

Se duket e vështirë dhe e pamundur, e shohim çdo ditë nga konteksti aktual i sigurisë në botë. Kur askujt nuk i shkonte ndërmend se edhe në këtë shekull të 21-të të përparimit dhe zhvillimit të njerëzimit është e mundur një luftë e re me armë, megjithatë, kjo është një realitet që prej dite në ditë shkon në vijën përpjetë,

Por, nuk duhet të heqim dorë nga kërkimi dhe gjetja e mënyrave për të zgjidhur situatat në mënyrë paqësore, në tryezë, me dialog në tryeza diplomatike. Sado e pamundur të duket, ajo është ende mënyra e vetme e arsyeshme dhe e civilizuar.

Që të mund të gjithë mund të vazhdojmë të ecim përpara, sepse kjo është e vetmja rrugë e pranueshme. E kaluara është e dobishme vetëm si mësim, jo edhe si përsëritje. Dhe kjo tregon se kthimi prapa nuk është rrugë, por shkatërrim.

Prandaj sot, i bashkohemi JO-së të zëshme të botës demokratike të cilës i përkasim, JO-së për cilëndo formë të jotolerancës, antisemitizmit, fashizmit. JO, për të gjitha format moderne të agresionit, përmes përjashtimit dhe gjuhës së urrejtjes, të motivuar nga motivet nacionale, etnike, fetare apo të tjera të racizmit, denigrimit, ksenofobisë dhe diskriminimit.

Doemos duhet të jemi të zëshëm, sepse vetëm zëri i lartë kundër padrejtësive në të kaluarën dhe sot përcakton se në çfarë bote do të jetojmë ne dhe fëmijët tanë në të ardhmen. E përcakton të ardhmen tonë të përbashkët në paqe dhe tolerancë.

Republika e Maqedonisë së Veriut, gjithmonë ka qenë në anën e duhur të historisë. Edhe sot jemi krah për krah me partnerët tanë në NATO dhe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në përpjekjet për të ruajtur dhe rivendosur paqen në pjesët në luftë në botë dhe në kontinentin evropian.

Kemi dëshmuar se jemi një demokraci e suksesshme, multietnike, funksionale. I dhamë shembull rajonit, Evropës dhe botës se diversiteti është një avantazh, jo një pengesë. Dhe sot jemi të nevojshëm si një model i suksesshëm për ruajtjen dhe avancimin e barazisë, paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në botë.

Kjo është forca jonë për të vazhduar zhvillimin demokratik, deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, ku përkasim, sepse ne tani më i praktikojmë vlerat evropiane. Ndërtojmë një shoqëri për të gjithë, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për të gjithë qytetarët.

Në këtë drejtim, dua të theksoj rolin konstruktiv të komunitetit hebre, në ndërtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut moderne dhe evropiane, dhe të falënderoj për kontributin e tyre.

Si Qeveri dhe si shtet, do të vazhdojmë ti mbrojmë dhe avancojmë traditën dhe kulturën e pasur hebraike, në mënyrë të barabartë me traditat dhe kulturat e të gjitha kombeve të tjera. Dhe kjo, besoj se do të vërtetohet shumë shpejt edhe me përfshirjen formale të hebrenjve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Si komunitet hebre, ju inkurajoj që të vazhdoni edhe më tej të jeni partner i barabartë, në të gjitha hapat strategjikë, drejt së mirës së përbashkët, në vendin tonë të lindjes. 

Respekt i përjetshëm për jetët e humbura dhe mos përsëritet e keqja e tmerrshme, askujt dhe asnjëherë!

Ju faleminderit për vëmendjen.“