Xhaferi me një porosi deri te studentët në Prishtinë: krijoni vlera, arrini përsosmëri dhe asnjëherë mos u ndalni

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot vizitoi Kolegjin AAB në Prishtinë, Republika e Kosovës.

Sipas rendit të ditës, Kryeministri në fillim pati takim me Këshillin drejtues dhe rektorin e Kolegjit AAB, Blerim Oluri. Kolegji AAB është institucioni i parë privat i arsimit të lartë në Kosovë, i themeluar menjëherë pas luftës në Kosovë, pas krijimit të marrëdhënieve të reja ekonomike, sociale dhe kulturore për jetën normale të qytetarëve të Kosovës, duke thyer në këtë mënyrë kushtet monopoliste që sundonin  një kohë të gjatë  në arsim.

Në takimin me Këshillin drejtuaes dhe rektorin Oluri, Kryetari u informua  me të gjitha detajet për Kolegjin me karakter administrativ, infrastrukturor dhe profesional, ndërsa përgjigjet i mori nga rektori Oluri, i cili theksoi se institucioni, i cili  në fillim ofronte vetëm studime në fushën e artit dhe komunikimit masiv, me kalimin e kohës u shndërrua në një qendër përkatëse akademike vendase, që  paraqet shembull për një institucion të arsimit të lartë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, duke promovuar autonominë institucionale, lirinë akademike dhe hulumtimet shkencore brenda vetë institucionit.

Në kuadër të vizitës,  vizitoi edhe hapësirat e kolegjit, ndërsa Kryeministri Xhaferi para studentëve mbajti ligjëratë me temën “Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Në prezantimin e tij para studentëve, Kryeministri Xhaferi theksoi se “marrëdhëniet dypalëshe politike mes dy vendeve karakterizohen me një dialog të hapur dhe konstruktiv, si dhe me bashkëpunim produktiv dhe të frytshëm në të gjitha fushat me interes reciprok dhe këtu përfshihet bashkëpunimi politik, ekonomik, i biznesit, infrastrukturor, arsimor, shëndetësor dhe nënkuptohet shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi në proceset integruese në NATO dhe BE, si thelbësore për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket mbështetjes në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, si dhe anëtarësimit në kuadër të organizatave dhe iniciativave ndërkombëtare, Kryeministri Xhaferi shprehu besimin se kjo mbështetje nuk do të mungojë asnjëherë, dhe se si përfaqësues të shtetërorë dhe bashkatdhetarë, nuk lëshojnë asnjë mundësi për mbështetjen e anëtarësimit, pjesëmarrjes ose së paku sigurimin e statusit të vëzhguesit për Republikën e Kosovës, për shkak se, siç theksoi „si rajon jemi  aq të fortë sa është i fortë dhe fqinji ynë më i dobët, që do të thotë, se vetëm të bashkuar mund të jemi një forcë që mund të flasë dhe të veprojë në emër të saj dhe të bëjë më të mirën për veten në këto kohë të pasigurta".

Në vazhdim të ligjëratës, Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, theksoi se bashkëpunimi në platformat ndërkombëtare është një mundësi jashtëzakonisht e dobishme për vendet individualisht, por edhe për të gjithë rajonin, duke vënë në dukje Planin e rritjes të Ballkanit Perëndimor të Komisionit Evropian ose Forumi ekonomik të Vjenës e të tjerë, që është  konfirmim i qëllimit tonë të përbashkët për integrim në familjen evropiane.

Në kontekst të NATO-s, Kryeministri Xhaferi theksoi se ne plotësisht e mbështesim  Republikën e Kosovës dhe synimin e saj strategjik për integrim në këtë aleancë, veçanërisht duke marrë parasysh kontekstin aktual gjeopolitik dhe veprimet aktuale ushtarake në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Kryeministri Xhaferi e përmbylli ligjëratën e tij me motivin e krijimit të vlerave evropiane në vend, në rajon, ndërsa kjo është, që vendet tona të bëhen tërheqëse për jetën, arsimin, punën, krijimin, zhvillimin dhe aftësimin profesional të brezave të rinj. Ndër të tjera,  ai theksoi se “vetëm nëse prezantohemi së bashku, në aspektin fqinjësor dhe rajonal, nuk do të ketë sfidë që nuk ta tejkalojmë”.

Në fund të prezantimit të tij, Kryetari i Qeverisë Xhaferi  studentëve u porositi “Krijoni vlera, zbuloni përsosmëri të reja dhe asnjëherë  mos e ndalni hapin tuaj”. Me ju përpara, të gjithë së bashku, si rajon,  do të jemi një shembull drejt të cilit  të gjithë do të tregojnë me gisht!”

Në shenjë falënderimi ndaj Kryeministrit Xhaferi, studentët kishin përgatitur një dhuratë rasti, një pikturë artistike, të cilën ia dorëzuan në fund të ligjëratës.

Gjatë ditës, Kryeministri Xhaferi ka vizituar edhe Qendrën Memoriale në Prekaz, ku ju bëri homazhe personalisht viktimave të familjes së komandantit Adem Jashari, si dhe vizitoi edhe familjen e tij që ende jeton atje.