Kovaçevski-Varadkar: Irlanda është një partner i fortë dhe mbështetës i integrimit tonë evropian, proaktiviteti është i nevojshëm për të siguruar perspektivat evropiane

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka zhvilluar sot një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vend, e cila është edhe vizita e parë e një kryeministri irlandez në vend.

Pas takimit kokë më kokë u mbajt takim dypalësh ndërmjet delegacionit maqedonas dhe irlandez, ku morën pjesë zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, dhe ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu.

Në takim u përshëndet përvjetori i tridhjetë i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe u theksua se ekziston një nivel i mirë i dialogut politik pavarësisht distancës gjeografike.

 U theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e teknologjisë së informacionit, telekomunikacionit, prodhimit të ushqimit organik, energjisë dhe turizmit.

Në takim, Kryeministri Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të zëshme të Irlandës ndaj Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së, e cila ka qenë e vazhdueshme që nga koha e paraqitjes së kërkesës sonë për anëtarësim në Union gjatë presidencës irlandeze të BE-së në 2004.

Bashkërisht u theksua se zgjerimi i BE-së është një çështje strategjike dhe e sigurisë që ka një rëndësi vendimtare në këtë kontekst kompleks dhe të pasigurt gjeopolitik për kontinentin evropian.

Dy kryeministrat theksuan se e ardhmja e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të ngrihet mbi të gjitha dallimet politike dhe ideologjike, prandaj pritet proaktivitet nga të gjithë aktorët politikë në drejtim të përmbushjes së synimeve të përcaktuara në rrugën drejt BE-së.

U njoh roli i Republikës së Maqedonisë së Veriut si faktor i stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë në kuadrin evropian, me të cilën u shprehë si një argument tjetër i fortë për sigurimin e perspektivës evropiane të vendit.