Osmani në Forum për Dialogun Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së: Morëm mbështetje të fuqishme nga Departamenti i Shtetit për progresin e përgjithshëm të vendit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot mbajti fjalim në Forumin për Dialogun Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të organizuar nga Asociacioni i Alumnit Maqedono-Amerikan.

“Morëm mbështetje të fuqishme politike nga Departamenti i Shtetit në drejtim të realizimit të projekteve të planifikuara, duke pasur parasysh se ato do të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të proceseve demokratike, forcimin e institucioneve, inkurajimin e proceseve të reformave, madje edhe në garantimin e progresit të përgjithshëm të vendit”, tha Ministri.

Ai theksoi se Dialogu Strategjik është shndërruar në platformë serioze, qëllimi i së cilës është avancimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve me plan konkret të aktiviteteve, respektivisht projekteve konkrete për bashkëpunim në mbrojtje, ekonomi, arsim, transport, energji, mbi ndryshimet klimatike, zhvillimin demokratik, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, tregtinë dhe fusha të tjera.

Në forumin në të cilin morën pjesë Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Ageler, si dhe Kryetarja e Shoqatës së Alumnit Maqedono-Amerikan, Verica Jordanova, Osmani iu referua bashkëpunimin arsimor.

“Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time të madhe për mbështetjen e SHBA-së për bursa të shumta për disa programe shkëmbimi akademik, profesional dhe kulturor, si: Fulbright; Hubert H. Humphrey; Kennedy- Lugar Youth Exchange and Study; Benjamin Franklin Transatlantic Summer Institute, si dhe programe që mundësojnë përsosje studimore në institucionet arsimore në ShBA”, duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në programin Open World, si një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe marrjen e njohurive dhe kontakteve të reja.

Më 2 qershor të vitit të kaluar, në Uashington, Osmani dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, lançuan Dialogun, duke e bërë kështu Maqedoninë e Veriut vendin e parë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që e filluan këtë proces të rëndësishëm.