Kovaçevski: Me rindërtimin e sistemit kolektor në Dojran dhe impiantin e ri të trajtimit, po zgjidhim një problem dekadash, duke siguruar mbrojtjen e liqenit të Dojranit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në një manifestim me rastin e fillimit të rehabilitimit dhe rindërtimit të sistemit kolektor dhe fillimit të procedurës për ndërtimin e një impianti të ri për trajtim në Dojran. Në këtë manifestim morën pjesë dhe folën ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, ambasadori i Republikës së Sllovenisë në vend, Gregor Presker, si dhe Ango Angov, kryetar i Komunës së Dojranit.

Me projektin për rehabilitimin dhe rikonstruksionin e sistemit kolektor dhe fillimin e procedurës për ndërtimin e një impianti të ri për trajtim në Dojran, sistematikisht zgjidhet grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza në të gjithë komunën. Vlera e projektit është 3.5 milionë euro, mjete buxhetore dhe donacion nga Sllovenia.

 

“Për herë të parë në më shumë se 40 vjet, kjo Qeveri po investon në rehabilitimin e sistemit të ujërave të zeza, këtu në Dojran. Që nga ndërtimi i kolektorit të vjetër dhe vënia në punë e tij në vitet '80, e deri më tani kjo nuk është bërë. Me serinë e ndërhyrjeve që parashikojmë, pritet zgjidhje sistematike e problemit të grumbullimit dhe pastrimit të ujërave të zeza nga Dojrani i vjetër dhe i Ri dhe vendbanimet tjera të komunës. Në këtë mënyrë sigurojmë mbrojtje maksimale të ujërave të liqenit dhe të gjithë eko-sistemit të Liqenit të Dojranit, i cili është zonë e mbrojtur ligjërisht si monument i natyrës që nga viti 2011”, theksoi kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij në manifestimin në Dojran.

Një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, siç theksoi kryeministri, është mbrojtja e mjedisit në mbarë vendin tonë, duke shtuar se ajo investon në projekte kapitale që ndryshojnë jetën e qytetarëve për më mirë.

 
“Ne investojmë në rajone që janë harruar jo prej vitesh, por prej dekadash. Vetëm në pjesën e ndërtimit, rikonstruksionit apo rehabilitimit të rrjeteve të ujësjellës kanalizimeve në të gjithë vendin tonë, aktualisht për vitet 2022 dhe 2023, janë duke u realizuar mbi 48 projekte, të financuara me fondet e buxhetit vetanak, drejtpërdrejt nga Buxheti ose nëpërmjet Programit për Ujë dhe Programi për investime në mjedisin jetësor ”, tha kryeministri Kovaçevski, duke renditur projektet aktuale që janë duke u realizuar në vend.

Kryeministri Kovaçevski thekson se vendi ka krijuar bashkëpunim rajonal me të gjitha vendet fqinje në të gjitha fushat e mbrojtjes së mjedisit jetësor me qëllim të harmonizimit të legjislacionit tonë me legjislacionin evropian dhe përgatitjes për negociata për anëtarësim në BE në kapitullin 27 – mjedisi jetësorë dhe klima.

“Maqedonia e Veriut duhet të ecë shpejt në rrugën evropiane paralelisht me vendet e tjera, kandidate për anëtarësim në BE, sepse kjo është e vetmja mundësi për ne”, theksoi kryeministri Kovaçevski.

“Nëse po shkojmë drejt BE-së, duhet të sillemi kështu. Ne si Qeveri dhe si Ministri e mbështesim Komunën e Dojranit me 135 milionë denarë për rindërtimin e sistemit të grumbullimit të ujërave të zeza dhe ndërtimin e një impianti të ri për pastrim, i cili do të mbrojë ujërat dhe tërë ekosistemin e Liqenit të Dojranit  si zonë unike e mbrojtur dhe destinacion jashtëzakonisht atraktiv turistik dhe tranzit”, theksoi ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, duke shtuar se realizimi i këtij projekti është shembull i mirë i bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes lokale, shoqërinë civile dhe Slloveninë si shtet anëtar i BE-së.

Ambasadori i Republikës së Sllovenisë në vend, Gregor Presker tha:

Projekti i propozuar nuk është vetëm i një rëndësie dypalëshe dhe nacionale, por edhe ndërkombëtare, sepse Liqeni i Dojranit mbrohet nga Konventa e Ramsarit për mbrojtjen e Ligatinave Botërore, pjesë e nismës së Brezit të Gjelbër Ballkanik dhe është një element i rëndësishëm i rrugës së migrimit për shumë zogj. Prandaj vendosëm ta mbështesim aktivisht këtë projekt sepse duam që brezat e ardhshëm të shijojnë bukurinë e Liqenit të Dojranit”.

 Kryetari i Komunës së Dojranit, Ango Angov falënderoi Qeverinë dhe Ambasadën e Sllovenisë për mjetet e siguruara  për projektin.

“Ndërtimi i këtij stacioni të ri dhe rikonstruksioni i plotë i sistemit kolektor do të nënkuptojë edhe zgjidhjen përfundimtare të problemit gati katër dekadash. Kur është fjala për shëndetin e qytetarëve, mirëqenien e perlës sonë, Liqenit të Dojranit, si dhe mjedisin e shëndetshëm dhe të pastër – nuk ka kompromise. Jam i lumtur sepse të gjithë jemi pjesë së bashku dhe po shkruajmë një të ardhme të re, të shëndetshme, ekologjike dhe të gjelbër për ne dhe fëmijët tanë”, tha kryetari i Dojranit, Angov.