Bekteshi dhe Jorna nënshkruan marrëveshjen: Maqedonia e Veriut hyri në Programin e Tregut të Përbashkët të Bashkimit Evropian

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Drejtorja e Përgjithshme e Drejtorisë për Treg të Brendshëm, Industri, Ndërmarrësi dhe Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme të Bashkimit Evropian Kesrtin Jorna, sot nënshkruan marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e vendin tonë në Programin e Tregut të Përbashkët të Bashkimit Evropian.

Programi i Tregut të Përbashkët ofron një set të plotë shërbimesh për të forcuar dhe mbështetur administrimin dhe funksionimin e Tregut të të Përbashkët. Ky program është një program modern, i qartë dhe i adaptueshëm që ndërthur një gamë të gjerë aktivitetesh.

“Programi i Tregut të Përbashkët ofron një mundësi të shkëlqyer për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e konkurrencës, punësimit dhe rritjes. Ky program është përshtatur si një mjet kyç për të adresuar çështjet aktuale, të paparashikuara si; pandemia COVID-19 dhe krizat e tjera të fundit me të cilat jemi përballur dhe kanë hedhur themelet për rimëkëmbjen e qëndrueshme të Evropës. Objektivat e përgjithshme përfshijnë përmirësimin e funksionalitetit të tregut të brendshëm, mbrojtjen e njerëzve, konsumatorëve dhe ndërmarrjeve, duke rritur njëkohësisht konkurrencën e tyre”, tha ministri Bekteshi në nënshkrimin e marrëveshjes.

Ky program, siç tha ministri përfshin mbështetjen nga Bashkimi Evropian në rritjen e efikasitetit të tregut të brendshëm, ndër të tjera, në dritën e transformimit digjital, forcimit të konkurrencës si dhe qëndrueshmërisë së NVM-ve dhe arritjes së vlerës së shtuar në nivel të Unionit, promovimit të interesat e konsumatorëve dhe garantimi i një standardi të lartë të sigurisë së produktit dhe mbrojtjes së konsumatorit. 

“Programi i tregut të përbashkët me Bashkimin Evropian na detyron të punojmë më ngushtë së bashku drejt qëllimit tonë të përbashkët. Partneriteti ynë është veçanërisht i rëndësishëm në këto kohë sfiduese dhe përmes procesit të negocimit të kësaj marrëveshjeje, institucionet tona konfirmojnë atmosferën e bashkëpunimit dhe partneritetit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Komisionin për dhënien e statusit të negociatorit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, i cili u mundësoi aplikantëve nga Maqedonia e Veriut të kenë të drejtë të aplikojnë në thirrjet për propozime të Programit para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Gjithashtu i jemi mirënjohës Komisionit Evropian për angazhimin për të lehtësuar pjesërisht kontributin tonë financiar në këtë program, përmes Instrumentit të para-aderimit - IPA”, tha ministri Bekteshi dhe siguroi se si ministër kompetent, Ministria e Ekonomisë do të bëjë gjithçka mundet për të siguruar zbatimin me sukses të këtij programi.