Bytyqi nga Brukseli: Sot hapim skriningun bilateral për Klasterin 2 - Tregu i brendshëm, një nga më të rëndësishmit, sepse bazohet në marrëveshjen për themelimin e BE-së

Në cilësinë e zëvendëskryeministrit të një vendi kandidat që tashmë ka nisur negociatat me Bashkimin Evropian, dua t'ju siguroj se po bëjmë çmos për të përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme të dhëna nga Bashkimi Evropian në lidhje me të 33 kapitujt, deklaroi sot në Bruksel Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, në fjalimin e tij në hapjen e dialogut bilateral për Klasterin - Tregun e brendshëm.

Sot, pas përgatitjeve intensive në 3 muajt e fundit, Maqedonia e Veriut filloi me skriningun bilateral për Kapitullin 3 - E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime, nga Klasteri 2 - Tregu i brendshëm. Para përfaqësuesve të DG NEAR (Drejtoria e përgjithshme për fqinjësi dhe politika të zgjerimit): Vinsent Rej - Zëvendës kryenegociator nga ana e BE-së, Alberto Kamarata - Zëvendës shef i departamentit për Republikën e Maqedonisë së Veriut; Brigita Sabaliauskaite dhe Françeska Porçeli nga departamenti për Republikën e Maqedonisë së Veriut, jua prezantojmë përgjigjet e pyetësorëve në lidhje me shkallën e transponimit të legjislacionit të BE-së dhe zbatimin e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se që nga themelimi i Komunitetit Ekonomik Evropian në vitin 1957 dhe më pas përmes miratimit të Traktatit të Mastrihtit në 1992 dhe Traktatit të Amsterdamit në vitin 1997, kur u prezantua zona Shengen dhe u finalizua me Traktatin e Lisbonës në vitin 2009, tregu i brendshëm është një nga aspektet më të rëndësishme të funksionimit të Bashkimit Evropian (BE).

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se ishte nder i madh për të që të fliste në fillim të skriningut bilateral të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të BE-së për Klasterin 2 - Tregu i brendshëm.

Unë dhe kabineti im, theksoi Bytyqi, siç parashikohet në strukturën tonë të negociatave, jemi emëruar koordinatorë të të gjithë Klasterit 2, krahas koordinimit të Sekretariatit për Çështje Evropiane si institucion i caktuar për koordinim në nivel kombëtar.

“Pas vendimit të Këshillit Evropian për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut në vitin 2020 dhe pas Konferencës së parë ndërqeveritare verën e kaluar, më në fund filluam procesin e negociatave. Qeveria dhe administrata jonë nuk qëndruan duarkryq duke pritur fillimin e procesit. Që nga dita që fituam statusin e kandidatit në vitin 2004, ne kemi qenë fuqimisht të përkushtuar në transponimin e të drejtës së BE-së (EU acquis) dhe rregulloreve të tjera relevante, kurse gjatë viteve të fundit kemi qenë dhe jemi ende të përkushtuar fuqishëm për përshpejtimin e të gjitha proceseve për të cilat bëhet më shpejt shtet anëtar i BE-së”, tha Bytyqi.

Para të pranishmëve, zëvendëskryeministri theksoi se në raportin e fundit të Komisionit Evropian (KE), në shumicën e kapitujve të klasterit 2, Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur dhe se në vitet e kaluara ka shënuar progres të kufizuar.

Bytyqi i siguroi bashkëbiseduesit nga Brukseli se Maqedonia e Veriut do të përpiqet të përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara nga vendi në 33 kapitujt e organizuar në 6 klasterë, si dhe tre fushat shtesë sipas metodologjisë së re.

“Jemi të përkushtuar dhe punojmë shumë për çdo rekomandim të theksuar në raportin e fundit të BE-së. Me krenari theksoj se pas më shumë se dy vitesh konsultime me aktorët relevantë, jemi në fazat përfundimtare të krijimit të një ligji të ri sistematik për marrëdhëniet e punës, brenda të cilit shumica e çështjeve të Kapitullit 2, si liria e lëvizjes së punëtorëve, do të zgjidhet. Ne kemi bërë një hap të madh edhe në riorganizimin e institucioneve kombëtare, me të cilin do të fillojmë të optimizojmë të gjithë strukturën administrative. Me këtë kuptojmë shumë mirë se kapacitetet njerëzore nuk duhet të zvogëlohen, por të rriten, veçanërisht në institucionet që rregullojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe ky do të jetë një hap drejt përmbushjes së rekomandimeve të kapitullit të parë, lëvizjes së lirë të mallrave. Me miratimin e një ligji krejtësisht të ri për marrëdhëniet e punës, i cili u përmend më lart, si dhe me propozimin tashmë të përcaktuar për ndryshime në ligjin për shërbimet postare, do të trajtojmë edhe një pjesë të rekomandimeve në Kapitullin 3, E drejta e themelimit dhe liria e ofrimit të shërbimeve.”- tha Bytyqi.

Në fjalimin e tij në Bruksel, zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi se po punohet edhe për zbatimin e rregullores më të fundit për sistemet dhe shërbimet e pagesave, për të cilën do të përgatitet një udhëzues për zbatimin e rregullave të BE-së për lëvizjen e kapitalit, përfshirë edhe tokën bujqësore, e cila është në Kapitullin 4, lëvizja e lirë e kapitalit.

Në Kapitullin 6, i cili i referohet Ligjit për shoqëritë tregtare, vendi është i përgatitur mirë, sepse Ligji i ri për kontabilitet tashmë është miratuar dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për harmonizimin në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.

Sa i përket Kapitullit 7 – Të drejtat e pronësisë intelektuale, po punohet për harmonizimin e legjislacionit përmes miratimit të strategjisë së pronësisë intelektuale që do të jetë pjesë integrale e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2022-2042, duke marrë parasysh rekomandimet që dalin nga Kapitulli 7.

Futja e Sistemit të integruar të informacionit për menaxhimin e financave publike, për të cilin Ministria e Financave po punon intensivisht, është e rëndësishme për përmbushjen e Kapitullit 8 – Konkurrueshmëria. Ndërsa Ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit, i cili është në fazën përfundimtare të përgatitjes në Ministrinë e Ekonomisë, do të përmbushë pjesën më të madhe të obligimeve nga Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti publik.

Në fund të fjalimit të tij, zëvendëskryeministri Bytyqi shprehu mirënjohje të sinqertë për të gjithë të përfshirët në këtë proces, Komisionin Evropian dhe të gjitha institucionet relevante të BE-së nga njëra anë, si dhe për secilin koordinator, zëvendës koordinator dhe anëtarë të grupeve punuese nga institucionet tona që u përfshinë në përgatitjen dhe përpilimin e pyetësorëve dhe përgjigjeve, si pjesë e këtij procesi të madh për vendin.

Kujtojmë se skriningu bilateral për Klasterin 2 i përbërë nga 9 kapituj, i cili koordinohet nga zëvendëskryeministri Bytyqi, fillon me Kapitullin 3, E drejta e themelimit dhe liria e ofrimit të shërbimeve.

Ky segment i procesit të negociatave për Klasterin 2, Tregu i brendshëm do të zgjasë rreth 2 muaj dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse është një nga më të mëdhenjtë, por relativisht më të rëndësishmit për Komisionin Evropian, sepse përmban kapitujt mbi 4 liritë themelore që janë baza e traktatit të themelimit të Bashkimit Evropian.