Kryeministri Kovaçevski u prit nga kancelari gjerman Olaf Sholc në Berlin

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, së bashku me shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të qeverive të vendeve të BE-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar, morën pjesë sot në fillimin oficial të Samitit të Procesit të Berlinit. Para fillimit të Samitit të mbajtur në Berlin të Republikës Federale të Gjermanisë, Kryeministri Kovaçevski u prit nga kancelari gjerman, Olaf Sholc.

Samiti i parë për Ballkanin Perëndimor është mbajtur gjithashtu në Berlin në vitin 2014 dhe qëllimi i Samitit të sivjetshëm është intensifikimi i bashkëpunimit dhe lidhjes rajonale ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Liderët nga Ballkani Perëndimor së bashku me përfaqësues të qeverive të vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe përfaqësues të Komisionit Evropian do të kenë mundësinë të diskutojnë bashkëpunimin rajonal dhe tregjet e përbashkëta rajonale, stabilitetin dhe transformimin energjetik, si dhe perspektivat e Procesit të Berlinit dhe çështjet strategjike.