Kovaçevski - Piç: Maqedonia e Veriut kontribuon në stabilitetin rajonal dhe evropian

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, u takua me përfaqësuesin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Ser Stjuart Piç, i shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vend, Metju Loson.

Në takim u diskutua për çështje aktuale në kontekstin rajonal dhe global, në drejtim të stabilitetit dhe paqes në Evropë dhe në botë.

Në këtë drejtim, u përshëndetën vendimet e Qeverisë që mundësuan fillimin e bisedimeve dhe përparimin në procesin e integrimeve evropiane si synim strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe me rëndësi për stabilitetin dhe sigurinë si të rajonit ashtu edhe të Bashkimit Evropian.

U theksua nevoja e fokusimit të të gjitha subjekteve politike në vend në politikat e zgjidhjeve, në vend të politikave të bllokadës dhe të  keqkuptimeve, veçanërisht duke pasur parasysh kontekstin aktual politik të sigurisë globale.

Në të njëjtën kohë, u vlerësua si e rëndësishme vendosja e politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut, në përputhje me politikat e vendeve të Evropës, në raport me situatën në Ukrainë dhe kontributin e vendit tonë, përmes politikave të miqësisë dhe dialogut, në stabiliteti rajonal.

Njëkohësisht, u shprehën urimet për marrëveshjen e nënshkruar FRONTEX, dje në Shkup, në gjuhën e pastër maqedonase, me të cilën u konfirmua njohja dhe respektimi i gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas nga ana e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kovaçevski falënderoi për tërë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme në proceset demokratike, integruese, reformuese dhe të gjitha proceset tjera të rëndësishme për qytetarët e vendit tonë.

Mbretëria e Bashkuar, siç u kumtua, është një partner dhe mik i madh strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe bashkëpunimi vazhdon të avancohet në këtë drejtim.

Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të anëtarësimit në NATO është vlerësuar i rëndësishëm, me vendosmëri të shprehur për avancim të mëtejmë.

Në takim u diskutuan sfidat në fushën e energjisë, si pasojë e luftës në Ukrainë, si dhe u diskutuan mundësitë për zgjidhje të qëndrueshme në këtë drejtim, si në vendin tonë ashtu edhe rreth një nevoje të tillë në vendet e tjera evropiane.