Kovaçevski: Me 250 milionë euro nga vetëm pesë projekte, Qeveria i mbështet komunat

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij në ngjarjen me rastin e prezantimit të “Projektit për ndërlidhjen e rrugëve lokale” në vlerë prej 70 milion euro, sublimon disa projekte më të mëdha mbi 250 milionë euro, të cilat Qeveria së bashku me partnerët, bashkëpunëtorët dhe institucionet ndërkombëtare i realizon në fushën e infrastrukturës vendore.

 

“Vetëm përmes pesë projekteve më të mëdha, përfshirë edhe “Projektin për ndërlidhjen e rrugëve lokale”, në komuna janë investuar mbi 250 milionë euro. Me programin TAV realizohen 94 projekte infrastrukturore që synojnë drejtpërdrejt nevojat e qytetarëve me një vlerë totale prej 49.7 milionë euro. Disa nga projektet kanë përfunduar, disa janë në fazën përfundimtare të zbatimit dhe duhet të realizohen këtë vit, ndërsa afati i fundit për realizim është viti 2023. Me projektin “BE-ja për komunat” në kompetencë të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, në tre vitet e ardhshme do të zhvillohen projekte të mëdha inovative me vlerë të përgjithshme prej 5.5 milionë euro”, tha Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se projekti për përmirësimin e shërbimeve komunale, i dedikuar për mbi 35 komuna në shtet, ka pasur edhe sukses të madh në realizimin e tij.

“Ky projekt kaloi në të gjitha filtrat e Kuvendit, unë pastaj u përfshiva në miratimin e tij në Kuvend si zëvendësministër i Financave, këtu është edhe kryetari i komunës së Aerodromit, ai ishte kryetar i Komisionit për Financim dhe Buxhetit – kështu që e kemi shumë të qartë se sa domethënës është ky projekt, realizimi i të cilit do të ndërtojë jo vetëm objekte me efikasitet energjetik nëpër komuna, por edhe prodhimin e energjisë elektrike, që të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm është për momentin.

Kjo do të thotë se aplikimi i shtetit për këtë projekt ishte largpamës duke pasur parasysh krizën në të cilën ndodhemi dhe që praktikisht rrit shpenzimet e energjisë elektrike për të gjitha subjektet, përfshirë edhe komunat. Në vitin 2021 përmes këtij projekti janë realizuar investime kapitale në vlerë prej 800 milionë euro, ndërsa në vitin 2020 projekti është realizuar me 99% të shumës së mjeteve financiare që janë miratuar. Në kuadër të buxhetit vjetor për projektin MSIP parashikohet zbatimi i disa projekteve, ndër të cilët është projekti për përmirësimin e efikasitetit energjetik në shtet me vlerë totale prej 25 milionë euro, nga të cilat 10.5 milionë euro janë për projekte për komunat”, tha Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski shtoi se një projekt tjetër i madh që është realizuar në vitet e kaluara është “Furnizimi me ujë dhe largimi i  ujërave të zeza”.

“Të gjitha komunat janë mbështetur me mjete në vlerë prej 100 milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës më të mirë për stacionet për spastrimin e ujërave. Ky projekt do të vazhdojë edhe në të ardhmen me një fond shtesë për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës lokale. Realisht ka shumë projekte të vlefshme që janë duke u realizuar nëpër komuna, do të ketë edhe në të ardhmen dhe besoj se bashkë me të gjitha kapacitetet do t'i shfrytëzojmë mekanizmat që janë në dispozicion për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, tha Kovaçevski.

Ai nënvizoi se edhe në kushtet e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike, Qeveria mbështet fuqishëm realizimin e mallrave të qëndrueshme, investimet në infrastrukturë, që do të thotë zhvillim për komunat, për qytetarët, për investime të reja, punësim dhe zhvillim ekonomik në mbarë shtetin.