Kovaçevski:Deklarata e OKB-së për të drejtat e pakicave është praktikë e përditshme, krijojmë shoqëri të barabartë për të gjithë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në kuadër të Debatit të Deklaratës së Përgjithshme në OKB në Nju Jork, mori pjesë dhe mbajti fjalim në takimin me rastin e 30 vjetorit të Deklaratës për të drejtat e pakicave.

Në vazhdim e përcjellim në tërësi fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski.

“Jam plotësisht i bindur se avancimi i një të drejte, që nuk kërcënon një të drejtë tjetër, mund  vetëm të jetë përfitim i një shteti që është i përkushtuar drejt zhvillimit paqësor.

Paqja asnjëherë nuk duhet parë si destinacion i fundit.

Paqja është rruga me shumë kthesa; paqja fitohet me ecje të përbashkët në këtë rrugë në jetën e përditshme; kjo është rruga drejt të cilës njerëzit që jetojnë në një vendbanim, në një bashkësi, në një komunë, në një shtet, duhet ta udhëheqin bashkërisht; kjo është rruga drejt së cilës duhet të përparojmë bashkërisht, të gjithë ne këtu në këtë ambient, të gjithë në mbarë botën.

Këtë e them sepse sot jam këtu në emër të atdheut tim, Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila sot është shembull i një shteti funksional multietnik dhe paraqet faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, që kryesisht ka të bëj me konceptin  "Një shoqëri për të gjithë" drejt të cilit synojmë dhe e zbatojmë pa paragjykime.

Ky është koncept i bazuar në parimin e të drejtave dhe detyrave të barabarta për të gjithë qytetarët, parim të cilin Qeveria dhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut e përkrahin.

Këta qytetarë janë maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, serbë, romë, boshnjakë dhe qytetarë të tjerë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të cilët, sipas dokumentit më të lartë legjislativ, Kushtetutës sonë, kanë liri dhe të drejta të barabarta, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, etnike, fetare apo ndonjë tjetër.

Sistemi ynë arsimor garanton dhe ju ofron arsim personave që i përkasin komuniteteve etnike në gjuhën e tyre amtare, në të gjitha nivelet e arsimit, duke filluar nga fillorja.

Ndryshimet ligjore të miratuara dhe zbatimi i parimit të përfaqësimit të barabartë ju mundësuan personave që i përkasin  bashkësive etnike të përfshihen në të gjitha fushat e jetës shoqërore, siç janë  vetëqeverisja lokale, Kuvendi,  sistemi i drejtësisë, si dhe organet e pushtetit ekzekutiv.

Në fakt, ne e kemi përcjellë letrën dhe frymën e Deklaratës së të drejtave të pakicave të Kombeve të Bashkuara në realitet, në praktikën tonë të përditshme. Republika e Maqedonisë së Veriut është përkrahëse e fortë e kësaj Deklarate të OKB-së, e cila i mbron parimet themelore për mbrojtjen e pakicave. Ne besojmë se të gjitha shtetet demokratike duhet të udhëhiqen nga kjo Deklaratë.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë plotësisht të vetëdijshëm për faktin se duke i lejuar njerëzit që u përkasin bashkësive të tjera etnike të përdorin gjuhën e tyre, e cila është e ndryshme nga maqedonishtja, të kërkojnë të drejtat e tyre për shërbime sociale, të mbrojnë të drejtat e tyre para gjykatave duke përdorur gjuhën e tyre amtare, nuk kanë humbur asgjë – përkundrazi, kanë fituar shumë.

Me politikat tona për barazi, ne përforcuam indin lidhor të shoqërisë sonë dhe hapëm rrugën e diskutimit për çështje që kanë rëndësi reale për qytetarët - ekzistenca e tyre dhe standardi i jetesës, sepse kjo është gjuha e përbashkët e të gjithëve, qytetarëve tanë.

Duke qenë se ne jemi të vendosur dhe plotësisht të përkushtuar ndaj Agjendës 2030 dhe parimit të "të mos lëmë askënd prapa", ne kemi miratuar një Strategji nacionale që përpunon konceptin "Një shoqëri për të gjithë dhe ndërkulturalizmin" bazuar në demokracinë pjesëmarrëse, e cila nga ana tjetër , konsolidon proceset për gjithëpërfshirje në vend dhe kjo është cilësia me të cilën vendi im njihet në rajon, në BE dhe në mbarë botën.

 21 vjet më parë kaluam një proces kompleks kur u arrit Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila ofronte zgjidhje për çështjet e hapura ndëretnike. Sot, kjo Marrëveshje është bartur në Kushtetutë. Me këtë ne tregojmë sinqerisht se gëzimi i plotë i të drejtave të njeriut nga pakicat, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, mund të arrihet vetëm përmes politikave aktive dhe planeve strategjike që i zhvillojmë në bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile.

Për momentin jemi duke zhvilluar një Strategji të re për Barazi dhe Mosdiskriminim që do të mbulojë periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2026. Jemi duke punuar në zhvillimin e strategjisë me mbështetjen e OSBE-së, ndërsa qëllimi i Strategjisë është të sigurojë përmirësim dhe avancim të statusit të kategorive më të cenueshme të qytetarëve. Të drejtat e grave që u përkasin pakicave janë thelbësore për të gjitha fushat, duke filluar nga arsimimi përmes përfshirjes së grave në proceset vendimmarrëse e deri te angazhimi i tyre në organet e administratës shtetërore. Ne i kushtojmë vëmendje të veçantë dhe përpiqemi në mbrojtjen e të drejtave të romëve. Kemi zhvilluar një Strategji të re për periudhën 2022-2030 për përfshirjen e romëve në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në Kornizën Strategjike të Romëve të BE-së.

Maqedonia e Veriut zbaton një politikë unike për statusin e pakicave të saj në vendet ku ata jetojnë, e cila bazohet në zbatimin e parimeve që janë pjesë e kësaj Deklarate të OKB-së dhe zbatimin e rreptë të dispozitave të Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale.

Maqedonia e Veriut zbaton një politikë unike për statusin e saj. Duke pasur parasysh se jemi një shtet demokratik multietnik i suksesshëm, funksional - një mini Evropë në Ballkan - jemi të gatshëm dhe kemi vullnet për të garantuar avancimin etnik, kulturor , identitetin gjuhësor dhe fetar të të gjitha bashkësive etnike, duke mbrojtur njëkohësisht interesat shtetërore dhe duke e zhvilluar Republikën e Maqedonisë së Veriut në të njëjtin nivel me pjesën tjetër të botës demokratike.

Duke qenë pjesë e një rajoni që ka vuajtur shumë nga konfliktet e pafundme në të kaluarën, ne jemi të përkushtuar të kontribuojmë në marrëdhënie më të mira me fqinjët tanë, të cilët janë gjithashtu të ndryshëm etnikisht. Nisma jonë e fundit - Ballkani i Hapur, së bashku me vendet që na rrethojnë - është aktualisht ideja më frymëzuese për paqe dhe zhvillim ekonomik që do të na afrojë me qëllimin tonë përfundimtar strategjik - anëtarësimin në BE.

Pandemia dhe lufta në Ukrainë kanë treguar se kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, lufta nuk përfundon kurrë, sepse si ruajtja dhe promovimi i tyre kërkojnë vullnet dhe kujdes të fortë. Angazhimi ndaj të drejtave të njeriut nuk përfundon në kufijtë e komunitetit tonë, shtetit tonë, rajonit tonë. Është universale.

Me këtë, dëshiroj të mirëpres debatin e sotëm që mbështet angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar shtete më të drejta dhe një botë më të drejtë”.