Kryeministri Kovaçevski mori pjesë në hapjen e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së në Nju Jork

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili udhëheq një delegacion qeveritar në Nju Jork, sot mori pjesë në hapjen e Asamblesë së 77-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Debati i përgjithshëm vjetor i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së i kushtohet temës “Zgjidhjet transformuese ndaj sfidave të ndërthurura”, me fokus në zgjidhjet që vendet do të gjejnë përmes solidaritetit, qëndrueshmërisë dhe shkencës.

Debatin e përgjithshëm e hapi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guteresh në prani të liderëve dhe delegatëve nga shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Fokusi kryesor i hapjes ishte qëndrimi dhe thirrja për veprim të përbashkët dhe dialog si e vetmja mënyrë për të mundësuar zhvillimin. Në të njëjtën kohë, u theksua se asnjë sfidë globale nuk mund të zgjidhet pa përpjekjet e përbashkëta të të gjitha vendeve dhe palëve të interesit.

Krahas pjesëmarrjes në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sot pasdite, kryeministri së bashku me kolegët e tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë edhe në një drekë pune të organizuar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë dhe zëvendëskryetari i Komisionit Evropian, Zhozep Borell.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nesër do të mbajë fjalim në takim me rastin e 30 vjetorit të Deklaratës për të drejtat e pakicave, ndërsa më 24 shtator do të mbajë fjalim në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë vizitës së tij në Nju Jork, Kovaçevski do të ketë disa takime bilaterale dhe një ligjëratë në Universitetin Kolumbia.

Delegacioni qeveritar në Nju Jork përbëhet nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Lubomir Fërçkovski dhe këshilltari për punë të jashtme të Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Edmond Ademi.