Kovaçevski: Republika e Maqedonisë së Veriut sot fillon bisedimet për anëtarësim në BE, kjo ditë është historike, e shumëpritur dhe e merituar

Me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare sot në Këshillin e Bashkimit Evropian në Bruksel, në të cilën mori pjesë edhe delegacioni qeveritar i kryesuar nga Kryeministri Dimitar Kovaçevski, Republika e Maqedonisë së Veriut hapi bisedimet për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë ngjarje me rëndësi historike, e cila fillon një kapitull të ri për vendin në rrugën drejt BE-së, Kryeministri Kovaçevski para përfaqësuesve të 27 shteteve anëtare u drejtua në gjuhën maqedonase. Në seancë folën ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Jan Lipavski, si kryesues, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Zhozef Borrell, dhe Komisari për zgjerim, Oliver Varheji.


Në vazhdim ua përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Kovaçevski:
“Në emër të qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, kam nderin e veçantë që kam mundësi të drejtohem, në gjuhën time amtare, gjuhën maqedonase, në Konferencën e parë të shumëpritur dhe të merituar ndërqeveritare me të cilën i hapim bisedimet për anëtarësim të plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Me këtë Konferencë ndërqeveritare, Maqedonia e Veriut fillon fazën e fundit të rrugës së saj të gjatë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Sot është historike për ne. E shumëpritur. E merituar.
Pas 17 vitesh, ne po hedhim hapin kyç në rrugën drejt realizimit të ëndrrës sonë shumëvjeçare, ëndërr e gjeneratave për të cilën shumica dërrmuese e qytetarëve, dhjetëra drejtuesve tanë shtetërorë, përfaqësuesve politikë, sektorit civil, punonjësve akademikë dhe shkencorë, biznesmenë, gazetarë dhe punonjës mediaetik dhe mijëra nëpunës civilë, punuan me përkushtim për shumë vite.
Të gjithë kanë një rol në atë që kemi arritur deri tani. Të gjithëve ua kushtojmë ditën e sotme, i falënderojmë për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre dhe i nderojmë për punën e tyre.
Për të arritur këtë qëllim strategjik, ne kemi bërë shumë. Ne morëm vendime të mençura, të guximshme, burrështetase në interes të së ardhmes së fëmijëve tanë dhe të vendit. Një vizion dhe plan i qartë për të ardhmen, përkushtim për prosperitetin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve për mua është akti më i madh i patriotizmit.
Rruga për në Bruksel ishte e gjatë. Maqedonia e Veriut aplikoi zyrtarisht për anëtarësim të plotë në vitin 2004 dhe fitoi statusin e kandidatit në vitin 2005.
Komisioni Evropian rekomandimin e parë për fillimin e bisedimeve e dha në vitin 2009 dhe Këshilli i BE-së e konfirmoi atë me një vendim unanim në mars të vitit 2020.
Me këtë Konferencë ndërqeveritare, praktikisht funksionalizohet vendimi i Këshillit të BE-së nga marsi i vitit 2020 dhe hapet procesi për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj në familjen e madhe evropiane, në shtëpinë tonë të përbashkët, në Bashkimin Evropian, si qëllim strategjik prej shumë dekadash.
Zgjerimi është padyshim ndër politikat më të suksesshme të Unionit. Në kontekstin e sotëm, bota ka nevojë për një Evropë të bashkuar dhe të fuqishme dhe kjo nuk do të jetë e mundur pa integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Agresioni rus kundër pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës tregoi qartë se asgjë nuk jepet njëherë e përgjithmonë dhe se bashkimi është forca jonë. Politika e zgjerimit aktualisht kontribuon më drejtpërdrejt në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Të nderuar,
Qytetërisht, gjeografikisht dhe historikisht, Maqedonia e Veriut i përket familjes evropiane. Ne jemi Evropë, një demokraci funksionale të vogël, multietnike dhe multikonfesionale dhe po punojmë aktivisht për të ndërtuar një shoqëri në të cilën ka vend për të gjithë. Ne praktikisht dhe çdo ditë e jetojmë moton e Bashkimit Evropian, jemi të bashkuar në diversitet dhe jemi thellësisht krenarë me të njëjtat.
Në frymën e respektimit të diversitetit, përmes Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe ndryshimeve të mëvonshme kushtetuese, Maqedonia e Veriut ka krijuar një model të avancuar që siguron barazi në realizimin e të drejtave kulturore, gjuhësore dhe identitare të bashkësive.
Maqedonia e Veriut është një vend që respekton dhe vlerëson fqinjët e saj. Ne nuk kemi një mosmarrëveshje të hapur territoriale me asnjë fqinj dhe kjo tashmë është e rregulluar me Kushtetutën tonë dhe ne vazhdimisht dhe vendosmërisht promovojmë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.
Punojmë me përkushtim për tejkalimin e sfidave dhe përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët përmes zbatimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimin me Bullgarinë. Ne mbetemi të përkushtuar për zbatimin e tyre efektiv, në mirëbesim dhe për të kontribuar në ndërtimin e mëtejshëm të mirëkuptimit, besimit dhe respektit të ndërsjellë. Presim një marrëdhënie identike dhe të qëndrueshme nga fqinjët dhe partnerët tanë.
Në këtë kontekst, vendi im është plotësisht i përgatitur për të zbatuar në kohën e duhur të gjitha angazhimet e marra nga Korniza negociuese duke përfshirë të gjitha kapacitetet njerëzore dhe institucionale.

Të nderuar kolegë,
Maqedonia e Veriut është vend i miqësisë dhe bashkëjetesës. Me atë mendim dhe në atë frymë, ne jemi edhe sot këtu dhe me krenari qëndrojmë krah për krah me partnerët tanë në BE. Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe tani e tutje do të ndajmë edhe një të ardhme evropiane.
Një e ardhme evropiane me respekt të pakushtëzuar për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas dhe veçoritë e tij gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore. Më vjen mirë që këto çështje, si dhe çështjet dypalëshe që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ligjin e BE-së dhe kriteret e anëtarësimit të Kopenhagës, nuk do të diskutohen gjatë bisedimeve, siç konfirmoi pa mëdyshje Kryetarja Fon der Lajen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë para të gjithë deputetëve tanë dhe tërë opinionit tonë.
Jam krenar që gjuha maqedonase do të jetë gjuha në të cilën do të zhvillohet procesi i bisedimeve për anëtarësim, duke përfshirë edhe përfundimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE. Mezi presim ditën kur me anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE, gjuha maqedonase do të jetë një nga gjuhët zyrtare të BE-së, e barabartë me të gjitha 24 gjuhët e tjera zyrtare të Bashkimit Evropian.
Jemi të gatshëm të miratojmë plotësisht legjislacionin e BE-së në rendin tonë të brendshëm ligjor dhe të ndërtojmë kapacitete efikase administrative dhe gjyqësore për zbatimin e plotë të tij. Aktualisht kemi gjithashtu rreth 45% përputhshmëri me legjislacionin e BE-së. Negociatat e anëtarësimit do të jenë vetëm një nxitje shtesë për thellimin dhe përshpejtimin e këtij procesi të harmonizimit si dhe të procesit të integrimit në tregun e vetëm të BE-së.
Në të njëjtën kohë, të gjitha institucionet relevante në Maqedoninë e Veriut janë plotësisht të përgatitura për të kontribuar në zbatimin efikas dhe efektiv të procesit të shqyrtimit dhe për të vazhduar me harmonizimin e mëtejshëm të kornizës sonë ligjore me standardet e BE-së.
Për vite me radhë, Maqedonia e Veriut ka qenë një partner i dëshmuar i besimit për Unionin, si në aspektin e reformave ashtu edhe me një kontribut të duhur në përballjen me sfidat globale si kriza e migrantëve, pandemia me KOVID-19, por edhe agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës, të cilën ne e dënuam ashpër dhe në kontekst të të cilit jemi lidhur plotësisht me politikën e sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së. Me motivimin për të dhënë një kontribut edhe më të madh, ne po aplikojmë dhe kemi marrë besimin për të qenë kryesues me OSBE-në në vitin 2023.
Një tjetër konfirmim se jemi të lidhur natyrshëm është fakti që BE-ja është partneri ynë kryesor tregtar. Ekonomia jonë është strukturore e lidhur pazgjidhshmërisht me atë të BE-së, jo vetëm në aspektin tregtar, por edhe me vëllimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe në përgjithësi me marrëdhëniet ndërmjet subjekteve afariste. Në këtë drejtim, fondet e BE-së ishin dhe mbeten motori i ndryshimeve dhe reformave. Sot kemi efekte të dukshme në disa zona dhe në disa nivele, të cilat faktorizojnë pozicionin tonë gjeografik si qendër, si zemër e Ballkanit.
Gjatë bisedimeve, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, si edhe më parë, do t'u përmbahet parimeve të transparencës dhe gjithëpërfshirjes së të gjithë aktorëve shoqërorë. Nëpërmjet dialogut të thelluar dhe të përmirësuar, bashkëpunimit dhe partneritetit me sektorin civil, Kuvendin, Presidentin e Shtetit, opozitën dhe aktorë të tjerë, ne mundësojmë përfshirjen e tyre proaktive në krijimin e politikave dhe vendimmarrjes në lidhje me procesin e aderimit.
Të nderuar,
Jemi të vetëdijshëm se kohëzgjatja e bisedimeve do të varet kryesisht nga zbatimi i reformave të nevojshme, si dhe nga aftësia e BE-së për të mbështetur dhe thelluar zhvillimin e vet, duke garantuar kapacitetin e saj për të integruar anëtarë të rinj. Në këtë kuptim, përmes punës intensive dhe të përkushtuar, Maqedonia e Veriut synon të jetë plotësisht e përgatitur për të marrë përsipër obligimet e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2030, në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së deri në fillim të periudhës së ardhshme buxhetore të BE-së.
I vetmi projekt paqësor që i ka rezistuar kohës është Bashkimi Evropian, i cili mundësoi periudhën më të gjatë historikisht të paqes në kontinentin tonë, i cili deri atëherë kishte kaluar 2/3 e historisë së tij në luftëra të përgjakshme.
Që paqja të jetë e plotë dhe e qëndrueshme dhe që kontinenti ynë të jetë i plotë dhe i bashkuar, ne duhet të jemi bashkë dhe të bashkuar. Sepse vetëm së bashku jemi më të fortë.
Urime fillimi i bisedimeve për anëtarësim, këtë rrugë do ta ecim së bashku dhe jam i sigurt se jo shumë gjatë prej tani, së bashku do të presim anëtarësimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian", tha Kovaçevski.