Takim Kovaçevski – Donfrid: Intensifikohet mbështetja për eurointegrimet, Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm transatlantik i SHBA-ve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, u takua me Karen Donfrid ndihmës sekretare shtetërore e SHBA-ve për çështje evropiane dhe euro-aziatike, si dhe me Gabriel Eskobar, zëvendësndihmës i sekretarit të shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor dhe me delegacion amerikan, shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve në vend Kejt Mari Bërns.

Në takim bashkërisht është theksuar rëndësia e partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me SHBA-të.

Ndihmës sekretarja shtetërore e SHBA-ve Donfrid, përcolli mesazh që Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm transatlantik i SHBA-ve. U shpreh mbështetje e fuqishme nga administrata e Presidentit amerikan Xho Bajden për zhvillimin dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për fillimin e menjëhershëm të negociatave me BE-në, si një çështje me rëndësi strategjike për stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.

U theksua se vendi ynë, si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE-në, funksionon sipas parimeve të vlerave demokratike dhe evropiane dhe se në sfidat që solli lufta në Ukrainë, u vendosën shpejt dhe plotësisht në përputhje me NATO-n dhe politikat e BE-së.

Me politikat efektive për mbështetjen e popullit në Ukrainë dhe në përputhje me politikën e jashtme të NATO-s dhe BE-së, Maqedonia e Veriut, siç u vlerësua, dha një tjetër argument të fortë se i përket NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Bashkërisht u tha se kjo duhet të njihet dhe tëvlerësohet nga BE-ja, me hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sepse zgjerimi i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, nga pikëpamja gjeopolitike është çështje sigurie dhe thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e të rajonit dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kovaçevski falënderoi për miqësinë tradicionale, të sinqertë dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga pavarësia e vendit tonë e deri më sot dhe e vlerësoi atë si jashtëzakonisht të rëndësishme në të gjitha proceset e zhvillimit të vendit tonë, duke përfshirë arritjen e dy qëllimeve strategjike shtetërore, NATO dhe BE.

“Qeveria është e fokusuar në standardin e jetesës së qytetarëve dhe në tejkalimin e pasojave të krizës globale energjetike, ekonomike dhe ushtarake dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi për zgjidhje të të gjitha çështjeve të hapura vetëm duke respektuar vlerat evropiane dhe duke u bazuar në respektin reciprok dhe qasje dinjitoze në bisedime”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Në takim u diskutuan disa çështje aktuale, si rëndësia e nismës Ballkani i Hapur, që avancon bashkëpunim rajonal.