Kovaçevski – Levits: Eurointegrim urgjent i Maqedonisë së Veriut, çështjet me Bullgarinë të zgjidhen jashtë procesit aderues

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot u takua me Presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits, i cili është në vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kryeministri Kovaçevski i uroi mirëseardhje Presidentit të Letonisë Levits dhe në takim theksoi se vizita e tij në Maqedoninë e Veriut është hap më shumë drejt avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe mes të dyja vendeve.

Në takim ku morën pjesë edhe zëvendëskryetarja e Qeverisë e ngarkuar për politika për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, u theksua se nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike para 26 viteve, dy vendet kanë marrëdhënie jashtëzakonisht miqësore dhe të ngushta me fokus të fuqishëm në dinamizimin e dialogut politik dhe shkëmbimit tregtar.

Në bisedën me Presidentin Levits, Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut vlerëson qëndrimin e Letonisë që është vital procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut të vazhdohet me mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se çështjet me Bullgarinë duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, jashtë procesit aderues.

Presidenti i Republikës së Letonisë Egils Levits theksoi në takim se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një çështje e qëndrueshmërisë gjeopolitike për vetë BE-në në kohën dhe rrethanat e shkaktuara nga pushtimi rus në Ukrainë.

Temë bisedimi mes Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Kovaçevski dhe Presidentit të Letonisë Levits ishte lufta në Ukrainë, për të cilën u theksua se është shkelje brutale e së drejtës ndërkombëtare dhe agresion i paprovokuar ushtarak nga Rusia ndaj një shteti sovran dhe se diplomacia dhe dialogu janë të nevojshme për ndërprerjen e veprimtarive ushtarake.