Kovaçevski: Refuzimi SASHK-ut për rritjen e pagave për 10% është shantazh që shkakton dëm të pariparueshëm në arsimin e nxënësve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, vendimin e SASHK-ut për të refuzuar ofertën për rritjen e pagave në arsim dhe kujdesin parashkollor e vlerësoi si dëm të pariparueshëm në arsimin e nxënësve dhe vështirësim të përditshmërisë së prindërve.

Në vazhdim të kësaj kumtese ua përcjellim tekstin me reagimin e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:

“Sot fillon java e dytë që fëmijët nuk do të jenë në bankat shkollore. Me refuzimin e ofertës për rritjen e pagave për 10%, SASHK-u vendosi të vazhdojë me shantazhe që janë vetëm në dëm të arsimit të nxënësve dhe ua vështirësojnë përditshmërinë prindërve.

Qeveria po bën përpjekje serioze për të përballuar krizën, për të amortizuar rritjen e çmimeve dhe për të siguruar një jetë dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht për më të rrezikuarit. Edhe në kushte kaq të vështira të krizës globale, ne jemi ndoshta e vetmja Qeveri që kemi mundësuar rritje historike të pagave dhe pensioneve dhe kemi mbështetur fuqishëm qytetarët financiarisht.

Edhe krahas gjithçka, SASHK-u konsideron se rritja e pagave prej 2.500 denarë është pak. Në kushtet kur me masat kundër krizës të miratuara nga Qeveria, faturat e qytetarëve janë më të ulëta për 4.000 denarë në muaj. Ky thjesht nuk mund të konsiderohet qëndrim i arsyeshëm, por presion i dukshëm me të cilin shihet qartë se SASHK-u i vë interesat personale para atyre të fëmijëve.

Nga viti 2017 deri më sot, pagat në arsim i rritëm për 21%. Me këto 10% shtesë do të ishin 31%  rritje të cilat për SASHK-un në kushte të krizës ekonomike botërore, nuk mjaftojnë. Për krahasim, për persë vite, nga viti 2011 deri në vitin 2016 pagat në arsim u rritën vetëm për 4%.

Qeveria po bën gjithçka që është e mundur për të mbajtur dialog dhe për të gjetur gjuhë të përbashkët, por kërkesat dhe qëndrimi i SASHK-ut janë krejtësisht të papranueshme. Vendi i fëmijëve është në shkolla dhe në këtë situatë përgjegjësinë e ka vetëm SASHK-u dhe udhëheqësia  që nuk e realizojnë të drejtën e arsimit”.