Kovaçevski – Çuka: Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është prioritet

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot realizoi takim me Kryeministrin e Republikës së Rumanisë, Nikolae Çuka.

Dy kryeministrat të cilët u takuan në margjinat e Takimit të kryeministrave të vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa Juglindore, u shprehën të kënaqur nga marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe bazuar në miqësinë dhe respektin e ndërsjellë dhe konkluduan se mbeten mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut në më shumë fusha.

Miqësia e Rumanisë, tha në takim Kryeministri Kovaçevski, Maqedonia e Veriut e njeh edhe në mbështetjen e fuqishme të këtij vendi në arritjen e qëllimit tonë strategjik për integrimin në BE.

Kryeministrat Kovaçevski dhe Çuka ranë dakord se lufta në Ukrainë është një tjetër dëshmi e urgjencës së zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se ajo sot është një çështje sigurie për rajonin dhe Evropën.