Kovaçevski: NATO dhe BE të bashkuar në përgjigjen ndaj agresionit ushtarak të Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në Samitin e jashtëzakonshëm të shefave të shteteve dhe qeverive, theksoi se agresioni ushtarak rus në Ukrainë është i paprovokuar dhe i paarsyeshëm dhe shkelje serioze e të drejtës ndërkombëtare.

Maqedonia e Veriut u bashkëngjitet thirrjeve që Rusia menjëherë të ndalojë aksionin ushtarak dhe të tërheq të gjitha trupat dhe kapacitetet ushtarake nga Ukraina dhe e përshëndeti mbrojtjen e guximshme të Ukrainës që mbron lirinë e qytetarëve të saj dhe sovranitetin e shtetit.

Në këtë drejtim Maqedonia e Veriut fuqishëm e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, në kufijtë e saj të njohur në aspekt ndërkombëtar dhe të drejtën e tyre që lirshëm ta zgjedhin orientimin e tyre të jashtëm dhe angazhimet e sigurisë.

Kryeministri Kovaçevski potencoi se në këto kohëra të pasigurta, është krenari të shihen të gjitha përfitimet e NATO-s dhe BE-së në përgjigjen ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë që përfshijnë edhe hapa të rëndësishëm për përforcimin e kapaciteteve mbrojtëse të krahut lindor të aleancës.
 
Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut siguroi ndihmë humanitare dhe materiale mjekësore për Ukrainën dhe se është e përgatitur të pranojë refugjatët ukrainas që do vinin në vend.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se me kujdes janë identifikuar dhe po ndiqen aktivitetet agresive të Rusisë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se ata kanë për qëllim të minojnë reputacionin dhe besimin e NATO-s dhe BE-së, të shkaktojnë krizë sigurie që do të ndikojë në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të krijojnë një dilemë mbi rolin strategjik të NATO-s dhe BE-së në rajon.

Kovaçevski  vuri në dukje se NATO dhe BE duhet të ruajnë besueshmërinë e politikave të tyre në rajon për të përforcuar më tej sigurinë.
 
Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut potencoi se politika e dyerve të hapura të NATO-s ishte sukses historik i cili siguron paqe dhe siguri të përhershme të gjithë kontinentit Evropian, pavarësisht mungesës së një perspektive të besueshme evropiane dhe euroatlantike për Ballkanin Perëndimor, i cili mund të ketë tendenca të shumta negative.

Kovaçevski shtoi se zgjerimi i BE-së do të rriste sigurinë dhe do të konsolidonte demokracinë dhe se për këtë arsye ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që të fillonin bisedimet e aderimit në BE pa vonesa të mëtejshme.