Kovaçevski: Perspektiva evropiane shumë e qartë për Maqedoninë e Veriut do të thotë stabilitet rajonal dhe zhvillim i përshpejtuar

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot e priti përfaqësuesin  e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borel, i cili ndodhet në vizitë pune në vendin tonë.

Kryeministri Kovaçevski dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borel, mbajtën takim dypalësh në të cilin morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Për bisedat në takim Kryetari i Qeverisë Kovaçevski përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borel, informuan në konferencën e përbashkët për shtyp.

Në vazhdim të kësaj kumtese ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në konferencën për shtyp në tërësi:

“I nderuar përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borel

Të nderuar qytetarë,

Të nderuara media,

Së pari do të doja të shpreh mirënjohjen time për zotin Borel për angazhimin dhe mbështetjen e tij personale për Republikën e Maqedonisë së Veriut për të marrë një datë për bisedime pa vonesa të mëtejshme.

Në një kohë jostabiliteti të madh si pasojë e agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, so asnjëherë më parë shfaqet nevoja që Evropa të jetë e bashkuar, e fortë dhe plotësisht e përgatitur për të mbrojtur vlerat demokratike në themelet e të cilave është ndërtuar.

Maqedonia e Veriut, si vend anëtar dhe kandidat i NATO-s që në ditët e para të konfliktit, është pozicionuar në linjë me aleatët e saj në BE, SHBA dhe NATO. Ne dënuam fuqishëm agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe aktivizuam sanksionet kundër Federatës Ruse.

Deri para dy javësh mendonim se luftërat në tokën evropiane ishin pas nesh dhe nuk do të përsëriteshin. Por sot jemi dëshmitarë të një agresioni ushtarak në të cilin shumë njerëz të pafajshëm, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën. Më shumë se 2.5 milionë ukrainas janë tashmë refugjatë dhe kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe situata po bëhet gjithnjë e më alarmante.

Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian dhe të gjitha shtetet anëtare duhet të veprojnë strategjikisht dhe me guxim dhe të bëjnë thirrje për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Vetëm një Evropë që është plotësisht e bashkuar mund të jetë një Evropë e fortë.

Gjendja e tashme status-kuo është gjendje që nuk i konvenon askujt.

Ne të gjithë duhet të gjejmë një mënyrë për të tejkaluar sfidat që na presin. Unë dhe homologu im, Kryeministri i Bullgarisë, kemi krijuar një parim të ri bashkëpunimi. Ne po ndërtojmë ura miqësie, po hapim mundësi të reja bashkëpunimi dhe po lidhim dy vendet. Kjo është mënyra e duhur për të arritur një zgjidhje të kontestit.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të përfshihen sa më shumë që të jetë e mundur, sepse zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është tashmë një çështje strategjike dhe sigurie. Integrim do të thotë një angazhim i përbashkët për ndërtimin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar, si një vend i vlerave dhe forcave demokratike dhe civilizuese.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë. Kur ka përparim në një vend, kjo është nxitje për përparim te fqinjët e tjerë. Nga ana tjetër, bllokada e bisedimeve aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në ndjehet në tërë rajonin.

Ne duhet ta shfrytëzojmë kohën tonë të çmuar në mënyrë më efikase. Lufta që po ndodh është rrezik për rritje e ndikimit të palëve të treta në rajon, për të cilën të gjithë duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të përgatitur. Lënia e një boshllëkut gjeostrategjik në pjesën tonë të Evropës nuk është opsion. Integrimi i shpejtë i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit do të sigurojë stabilitet, por edhe zhvillim të Evropës. Ne kemi nevojë për procese të parashikueshme, të besueshme, të zgjeruara dhe të përshpejtuara të integrimit në BE.

Kjo Qeveri mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe proceseve reformuese, të lidhura para së gjithash me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen demokratike. Megjithatë, në këtë kohë krize, e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme punën tonë të përkushtuar në çështjet ekonomike dhe zhvillimore, si dhemenaxhimi i mirë efikas i buxhetit. Sigurisht, një shtysë e fortë për rimëkëmbje më të shpejtë nga kriza ekonomike do të jetë mbështetja e përforcuar financiare nga Bashkimi Evropian, e cila do të mundësojë përshpejtimin e energjisë dhe transformim digjital.

Të nderuar,

Vizioni ynë për Ballkanin në shekullin 21 është një vizion i një rajoni të përparuar të integruar në Evropë ku paqen, stabilitetin dhe zhvillimin askush nuk i vë më në diskutim. Një vend ku të rinjtë duan të jetojnë, të ndërtojnë familje dhe të shohin të ardhmen e tyre.

Është e nevojshme që Maqedonia e Veriut të ketë një perspektivë të qartë evropiane, për të cilën presim angazhim të shtuar nga miqtë tanë si z. Borrell. Në këtë drejtim, ne sot riafirmojmë vizionin tonë evropian dhe unitetin, kohezionin dhe solidaritetin tonë me vendet evropiane dhe aleatët tanë të BE-së dhe NATO-s.

Ju faleminderit”.