Kovaçevski nga Prilepi: Investojmë mbi një miliard denarë për projekte kapitale në arsim në vitin 2022

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, sot vizituan gjimnazin “Mirçe Acev” në Prilep.

I pritur nga nikoqirët, drejtori i gjimnazit “Mirçe Acev”, Dimçe Nastoski, kryetari i Komunës së Prilepit, Borçe Joveski, kryetari i Këshillit të Komunës Dejan Prodanoski, si dhe përfaqësuesve të këshillit  mësimdhënës, parlamentit të nxënësve dhe këshillit të prindërve, Kryeministri Kovaçevski dhe ministri Shaqiri rishikuan rezultatet e investimeve kapitale të Qeverisë nga vitet e kaluara.

Me këtë vizitë, para fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, Kovaçevski lëshoi në përdorim shkollën e mesme të rindërtuar “Mirçe Acev”, krenaria e arsimit në Prilep, në të cilën fillimi i mësimit filloi më 1 shkurt të vitit 1945, gjegjësisht  nesër 77 vjet më parë.

 Drejtori i gjimnazit Nasteski i njoftoi të pranishmit se vizita e Kryeministrit Kovaçevski është vizita e parë e një kryeministri në 80 vjet të ekzistencës së shkollës së mesme.

Sot objekti i shkollës së mesme është tërësisht i rindërtuar dhe me efikasitet energjetik me katër hapësira të reja dhe janë kompletuar të gjitha kushtet e nevojshme për nxënësit me aftësi të kufizuara, ndërsa përmes një projekti të Ministrisë së Mjedisit  Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor  është siguruar një kaldajë e re për ngrohje të pavarur të objektit.

“Me të gjitha këto aktivitete, shkolla e mesme “Mirçe Acev” bëhet objekt bashkëkohor arsimor i cili me sukses e vazhdon traditën e arsimit të mesëm në Prilep. Investimet në objektet arsimore në Prilep, si dhe në dhjetëra objekte në mbarë vendin, janë realizuar me mbi një miliard denarë në vitin 2021. Kjo është për dy herë e gjysmë më shumë mjete se viti 2020 i mëparshëm”, tha Kovaçevski në deklaratën për mediat gjatë vizitës së institucioneve arsimore në Prilep.

Kovaçevski shtoi se punimet në rindërtimin e shkollës së mesme "Mirçe Acev", si dhe të objektit të shkollës "Kire Gavrilovski - Jane", me sallën sportive që është e ndërtuar për herë të parë pas 60 vitesh, janë kryer gjatë valëve të para të pandemisë kur nxënësit duhej të ndiqnin mësimin online, për të krijuar kushte më të mira për arsimimin e nxënësve.

Kjo konfirmon, tha Kryeministri Kovaçevski, se kjo Qeveri është fuqishëm e përkushtuar që të sigurojë kushte cilësore për arsimin, por edhe objektet efikase energjetike që kursejnë energjinë dhe mbrojnë mjedisin jetësor.

Me urimet për objektet arsimore të rindërtuara me sukses në Prilep,  Kryeministri Kovaçevski u dëshiroi sukses në realizimin e programit  arsimor në gjysmëvjetorin e dytë të këtij viti shkollor dhe theksoi se Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdojnë me këtë investim edhe në vitin 2022, për të cilin gjithashtu janë siguruar mbi një miliard denarë mjete buxhetore, si investime në kapitalin njerëzor, tek fëmijët, tek të rinjtë, në të tashmen dhe të ardhmen tonë.