Bekteshi dhe Avziu në vozitjen e parë me teleferikun e ri me gjashtëulëse këtë sezon: Me investimet e reja në Kodrën e Diellit do të tërheqim turistë nga rajoni dhe më gjerë

Sot gjatë vizitës në Kodrën e Diellit ministri Bekteshi dhe drejtori Avziu dhanë deklarata për mediat si dhe realizuan shëtitje panoramike me teleferikun “Leitner” në Qendrën e Skijimit „Kodra e Diellit“. 

Bëhet fjalë për teleferikun supermodern me gjatësi prej  1.510 metra, me kapacitet maksimal për transportimin e skiatorëve prej 2.400 skiatorë në orë. 

“Sot kam mundësinë që të shënojmë një ditë shumë të rëndësishme për Kodrën e Diellit se Qeveria dhe organet kompetente po japin maksimumin që kjo qendër në të ardhmen të konkurroj me pikat tjera turistike nga rajoni dhe më gjerë, duke shtuar se pikërisht teleferiku i ri me gjashtë ulëse tërheq numër të madh turistësh.

Sa i përket investimeve të cilat i ka ndërmarrë kjo ndërmarrje por njëkohësisht me përkrahje edhe të institucioneve tjera qeveritare. Siç e kemi theksuar edhe disa herë është prioritet i Qeverisë investimi në infrastrukturë por edhe në projekte të llojit të tillë të cilët janë një mundësi shtesë për të gjithë vizitorët e Kodrës së Diellit, për turistët që të përmirësohen shërbimet. Sa i përket këtij investimi i cili sot është në funksion të të gjithë qytetarëve, është një investim i cili do të hapi shumë shtigje të reja për skijim në Kodrën e Diellit por do të ketë edhe një mundësi shtesë për vizitorët që të bëjnë shëtitje panoramike. Siç e kemi theksuar edhe më herët Qeveria me përkushtim është duke i kryer obligimet e veta sa i përket përmirësimit të infrastrukturës dhe gjendjes së Kodrës së Diellit me qëllim që të rritet numri i turistëve dhe në mënyrë indirekte të ndikoj edhe në zhvillimin ekonomik lokal në kuadër të komunës së Tetovës”, theksoi Bekteshi.

Drejtori i ELEM TOURS Adem Avziu theksoi se janë duke përgatitur disa projekte dhe ide tjera nga ELEM Tours të cilat Qeveria do të përpiqet t'i zbatojë në mënyrë që të përmirësohen kushtet ne këtë qender skijimi . 

"Ne kemi edhe plane tjera, eshtë kënaqësi e imja që sot e kemi të pranishëm ministrin e Ekonomisë i cili na ka premtuar mbështetjen e tij direkte si dhe mbështetjen përmes Ministrisë së Ekonomisë deri tek Qeveria.nuk do të ndalemi këtu për zhvillim të tutjeshëm të kësaj qendre turistike dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, është prioritet i joni dhe duhet ta mbajmë dhe ta zhvillojmë këtë qendër ashtu siç i ka hije një vendi të tillë"  nënvizoi Avziu. 

Teleferiku i ri i skijimit me ashensorët  do të mundësojë rrjedhën më të mirë dhe më të shpejtë të skiatorëve dhe do të ofrojë atrakcion akoma më shumë vende skijimi për skijatoret.

Me investime të tilla do të mundësohet që Kodra e Diellit të zhvillohet në një qendër rajonale të skijimit dimërore ku përveç turistëve nga rajoni do të tërheqim edhe turistë nga vendet e tjera.