Pyetjet më të shpeshta të parashtruara në lidhje me virusin Korona dhe rreziqet në shtatzëni

Të nderuar,

 

Cila është mundësia për infektim me virusin korona gjatë shtatzënisë? Çka nëse një shtatzëne e shëndoshë ka test pozitiv? Nëse jam pozitive në COVID – 19 a duhet të jem e ndarë nga foshnja ime? A mund t’i jap gji foshnjës nëse kam virus korona? Këto janë vetëm një pjesë e pyetjeve që çdo shtatzënë ia parashtron vetes në periudhën e ballafaqimit me pandeminë nga virusi korona.

 

Shoqata Ndërkombëtare e Gjinekologëve dhe Obstetërve (ISOUG) dhe protokolli i publikuar më 26 mars të vitit 2020 i publikoi pyetjet që më së shpeshti parashtrohen për COVID – 19 dhe rreziqet në kohën e shtatzënisë.

 

1) Si të sillen shtatzënat dhe a rekomandohet që të bëhen në mënyrë të rregullt kontrollet antenatale?

 

- Kontrollet antenatale gjatë shtatzënisë janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për shëndetin tuaj por edhe për mirëqenien e foshnjës suaj. Megjithatë në këtë periudhë të pandemisë aktive rekomandohet të zvogëlohet kontrollet e obligueshme antenatale, por vetëm për rastet me rrjedhë normale të shtatzënisë dhe te shtatzënat që nuk kanë të kaluar obstetrike të keqe ose që nuk kanë pasur probleme të tjera shëndetësore,- gjegjësisht nuk kanë faktorë të rrezikut për paraqitje eventuale të shtatzënisë patologjike.

 

 

2) Çka nëse kam së paku një nga simptomat e këtij infeksioni, e jam shtatzëne?

 

- Nëse keni së paku një nga simptomat e këtij infeksioni është e nevojshme të paraqiteni për kontroll te mjeku juaj. Çdoherë vendosni maskën para se të dilni nga shtëpia, mbani distancë prej së paku 2 metrove nga të tjerët, veçanërisht pasi që të arrini në spital ose në ambulancë dhe është mirë që shkuarjen tuaj ta paralajmëroni me telefon. Në anketën epidemiologjike patjetër lajmëroni në tërësi simptomat tuaj dhe kontaktet e rrezikut të mundshëm.

 

3) Cila është mundësia për infektim me virusin korona gjatë shtatzënisë?

 

- Deri tani kemi shumë pak publikime, kështu që edhe informatat për femra shtatzëna që janë sëmurë me COVID – 19 janë të pakta. Nga dëshmitë e publikuara deri më tani duket se numri i shtatzënave që janë pozitive ose të sëmura me COVID – 19 është i vogël në krahasim me numrin e femrave të tjera të asaj moshe. Femrat me probleme të tjera shëndetësore, veçanërisht ato me sëmundje kronike të sistemit respirator, shtypje të lartë të gjakut, diabeti, kanë rrezik më të madh nga kjo sëmundje dhe për ato ekziston protokoll tjetër për ndjekjen e shtatzënisë dhe lindjes.

 

4) Çka nëse shtatzëne e shëndoshë ka test pozitiv?

 

- Shumica e shtatzënave te të cilat testi për COVID – 19 do të jetë pozitiv, nëse janë pa simptoma ose me simptoma të butë do të duhej të rrinë në shtëpi dhe të jenë në komunikim të vazhdueshëm me mjekun gjinekolog amë dhe me mjekun amë. Nëse tek ato simptomat fillojnë të përkeqësohen, është e nevojshme të vendosen në spital.

 

5) A ka dallime në lidhje me pasojat për fetusin në cilën javë, muaj të shtatzënisë do të infektohet pacientja?

 

- Sa më e afërt është sëmundja aktuale virusale me terminin e mundshëm të lindjes, aq më të vogla janë rreziqet për fetusin. Rrezik më i madh për fetusin ekziston nëse shtatzëna herët në shtatzëni e fiton virusin, sëmuret dhe ka rrezik të madh për lindje të parakohshme.

 

6) A ekziston rrezik për anomali strukturore dhe zhvillimore për foshnjën time nëse gjatë shtatzënisë jam pozitive apo e sëmurë prej COVID – 19?

 

- Sipas të dhënave ekzistuese deri te të cilat kemi qasje, supozohet se nuk ekziston bartje nga nëna në fetusin gjatë kohës së shtatzënisë. Nuk ka shenja se COVID – 19 i rrit rreziqet për anomali të fetusit edhe pse njohim vetëm disa femra që janë sëmurë nga virusi në periudhën e organogjenezës, gjegjësisht në tre muajt e para të shtatzënisë. Disa studime me viruse të ngjashme sugjerojnë se foshnja mund të mos rritet sa duhet, përkatësisht për javën e shtatzënisë, gjegjësisht të fitojë rritje të ngadaltë të fetusit (IUGR) pas infektimit të ngjashëm me COVID – 19. Për t’u zbuluar me kohë këto komplikime, më shumë ekspert rekomandojnë së paku një ultrazë pas 2 deri në 4 javë pas përfundimit të infeksionit që të jeni të sigurt se fetusi zhvillohet mirë.

 

7) Cilat janë rreziqet gjatë kohës së lindjes së fëmijës?    

 

- Nëse keni COVID – 19 dhe jenë në fazë aktive të lindjes së foshnjës, për shkak të hipoksisë (mungesë e oksigjenit) të mundshme ose ndalim të procesit të lindjes së fëmijës, mund të vështirësohet lindja spontane vagjinale dhe në atë rast rekomandimet janë që lindja e foshnjës të bëhet me prerje cezariane. Për momentin nuk ka arsye tjetër të zgjidhet prerja cezariane në vend të lindjes vagjinale kur nëna është e infektuar me COVID – 19, përveç nëse bëhet fjalë për lindje të parakohshme të fëmijës ose ekziston ndonjë indikacion tjetër obstetrikë për prerje cezariane nga ana e nënës ose të fetusit.

 

8) Nëse jam pozitive në COVID – 19 a duhet të jem e ndarë nga foshnja ime?

 

- Shpeshherë rekomandohet të ngelni me foshnjën tuaj nëse ndjeheni mirë. Disa rrethana mund të kërkojnë të jeni e ndarë nga foshnja juaj. Duhet të jeni shumë e kujdesshme që t’i shmangeni transmetimit të virusit foshnjës suaj. Kjo më së miri bëhet nëse i lani duart gjatë dhe në imtësi para se ta prekni foshnjën, mos ta prekni fytyrën e foshnjës, mos të kolliteni ose teshtini në afërsi të foshnjës dhe të mbani maskë të tipit FFP3 ose P100 kur kujdeseni për atë.

 

9) A mund ta ushqej me gji foshnjën kur jam e infektuar me COVID – 19?

 

- Nga dëshmitë e deritanishme shkencore që i kemi, disa shtatzëna të infektuara me virusin korona kanë qenë të testuar dhe në qumështin e tyre nuk është zbuluar shenjë e virusit. Do me thënë, se qumështi i nënës është i sigurt për foshnjën tuaj edhe nëse jeni e infektuar me COVID – 19. Por, në të njëjtën kohë, duhet të jeni e kujdesshme që mos t’ia transmetoni e virusin foshnjës. Opsion tjetër i shkëlqyeshëm është të mbani maskë të tipit FFP3 ose P100, ta milni qumështin tuaj dhe të keni dikë që nuk është i sëmurë e që do ta ushqejë foshnjën.