Filipçe: Gjendja me korona virusin është nën kontroll, ndërsa si parandalim e shqyrtojmë opsionin për kufizimin e tubimeve publike në interes të shëndetit publik

Pacientja tek e cila fillimisht u zbulua korona virusi, mbetet deri tani e vetmja. Gjendja e saj e përgjithshme është e mirë dhe stabile, nuk tregon shenja eventuale të komplikimeve të mundshme dhe mund të themi se hyn në fazën e rikuperimit, theksoi në konferencën e sotme për shtyp ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Personat të cilët kanë qenë në kontakt me këtë paciente, janë ende në izolim shtëpiak dhe nën mbikëqyrje mjekësore dhe të sigurisë dhe ky proces po zhvillohet në një drejtim pozitiv.

Ministri Filipçe informoi se me autoritetet shëndetësore, dje ka kontaktuar një person nga Strumica, i cili në vend është kthyer nga Italia Veriore më 22 shkurt dhe i cili vetë është izoluar në periudhën deri sa qëndron në shtet. Ai u është përgjigjur thirrjeve të institucioneve shtetërore dhe vetë është paraqitur në Qendrën për shëndet publik dhe momentalisht është nën mbikëqyrje mjekësore.

Izolim shtëpiak i domosdoshëm u rekomandohet edhe dy shtetasve bullgar të cilët në mënyrë zyrtare qëndrojnë në shtetin tonë dhe të cilët në periudhën kritike kanë qenë në rajonet e Italisë Veriore, por sipas deklaratave të tyre, nuk kanë pasur kontakt direkt me të infektuarit.

Ministri Filipçe informoi se Komisioni për sëmundje infektive pranë Institutit për Shëndet Publik, ka rekomanduar që të shqyrtohet mundësia për kufizimin e tubimeve më të mëdha publike, me qëllim që të parandalohet mundësia për kontakt me persona të cilët vijnë nga zona nga shtetet tjera, ku është shpallur epidemi nga korona virusi.

Filipçe tha se ky rekomandim është shqyrtuar dje në mbledhjen e Komitetit drejtues për koordinim dhe menaxhim me sistemin për menaxhimin me kriza dhe se është vërtetuar propozimi që të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për sëmundjet infektive për kufizimin e tubimeve publike dhe në pajtueshmëri me Ligjin për sëmundje infektive, për këtë propozim të deklarohet Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme.