Kryeministri Zaev dhe Zëvendëskryeministri Angjushev nga Kavadari: Masat për përmirësimin e kapacitetit financiar të qytetarëve, sjellin rezultate dhe ekonomia rritet me dinamikë të përshpejtuar

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar  për Çështje Ekonomike dhe koordinim të resorëve të ekonomisë, Koço Angjushev, sot, bashkë me qytetarët e interesuar, morën pjesë në debatin e hapur në tribunën "Ekonomi e fuqishme - mundësi për të gjithë" në Kavadar .

Në tribunën  e cila është pjesë e debateve të hapura interaktive, qytetarët e pranishëm patën mundësinë të diskutojnë për politikat ekonomike dhe perspektivat që hapen për zhvillimin ekonomik me anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Zaev, duke u përqendruar në  qëllimin kryesor të punës së Qeverisë, të sillen masa që do të përmirësojnë stabilitetin ekonomik të familjeve,  për të ndërtuar  shoqëri të qëndrueshme e cila do të sigurojë jetë stabile dhe të barabartë për të gjithë, theksoi se janë krijuar kushte për kthimin e parave te qytetarët mbi baza të shumta. Këtu, ai përmendi:  pagat më të larta, reformën sociale për daljen nga varfëria e qytetarëve të cilët janë në rrezik social, punësimin e tyre dhe zgjidhjen e statusit të punëtorëve të falimentuar.

"Në vit mbeten 11 milionë e 400 mijë euro  te qytetarët  vetëm nga tarifa e lirë e energjisë elektrike. Rreth 12 milionë euro është ulur shpenzimi i të gjithë qytetarëve të vendit tonë vetëm nga heqja e tarifës së radio difuzionit”, tha Kryeministri Zaev, duke i numëruar shpenzimet e reduktuara për kadastër, noter dhe zvogëlimin e ndëshkimeve si pjesë e mekanizmave të Qeverisë për përmirësimin e fuqisë ekonomike të qytetarëve.

Në këtë drejtim janë edhe masat e ndërmarra nga Qeveria për përmirësimin e statusit të bujqve dhe vreshtarëve, tha Kryeministri Zaev.

140 milionë euro u japim dhe do të vazhdojmë tu japim mbi 10,000 familjeve bujqësore për subvencione. Qeveria është më e lumtur kur duhet të marrë një vendim në mënyrë ligjore për të ndihmuar bujqit. Të gjithë e dimë se nuk duhet të ndalemi këtu. Ne duhet të bëjmë presion shtesë për të pasur çmime më të qëndrueshme për shitje të rrushit për verë dhe rrushit për konsumim. Duhet të ndjekim tendencat moderne, do të vazhdojmë me rritjen e subvencioneve për t'i motivuar bujqit të vazhdojnë t’i përpunojnë fushat e tyre dhe t’i mirëmbajnë veprimtaritë  tona tradicionale ekonomike", tha Kryeministri Zaev. Ai porositi se këtë vit bujqit për herë të parë  do të kenë të drejtën e rimbursimit të  tatimit mbi të ardhurat personale, gjë që do të thotë se më shumë se pesë milionë euro  fonde shtesë u kthehen të gjithë bujqve që nuk tejkalojnë të ardhurat totale prej një milion denarësh.

Në fjalën e tij, Kryeministri Zaev gjithashtu i përmendi edhe masat të cilat përmes Agjencisë së Punësimit dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale merren si  subvencione të drejtpërdrejta prej 10 mijë euro ndihmë e pakthyeshme për të rinjtë që vetë themelojnë bizneset e tyre, gjë që automatikisht i jep të drejtë firmës për të konkurruar me projekte në Fondin për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, ku mund të merren deri në 70% e investimeve.

"Për disa muaj do të fillojmë me projektin  vauçer për klubet sportive, ku çdo klub sportiv do të marrë vauçer që janë drejtpërdrejtë para  në vlerë totale në nivel shtetëror, gjashtë milionë euro shtesë për sport", tha Zaev duke theksuar se shteti merr masa edhe për të përmirësuar infrastrukturën, rrugët lokale si dhe objektet sportive.

Në fjalimin e tij, Zëvendëskryeministri Angjushev foli për nivelin e investimeve të huaja gjatë vitit të kaluar, i cili me 624.5 milionë euro të arritura, është për 267 % më shumë në raport me mesataren e investimeve të huaja në periudhën 2010-2017.

"Rritja industriale në janar 2019 me mbi 12 % jep optimizëm se ekonomia do të rritet me ritëm më të shpejtë këtë vit. Rritja e pagave neto është e dukshme dhe është mbi 6 %. Reale është që pagat do të rriten për shkak të presionit në tregun e punës", tha Angjushev, duke shtuar se me hapjen e fabrikave të reja do të hapen vende të reja të punës më mirë të paguara.

Në tribunën "Ekonomia e fuqishme - mundësi për të gjithë" në Kavadar, qytetarët e pranishëm diskutuan dhe parashtruan më shumë pyetje në lidhje me situatën ekonomike në vend dhe në rajon.