Kryeministri Zaev në tribunën “Ekonomi e fuqishme - mundësi për të gjithë” në Kavadar: Tendencat pozitive na japin mundësi t’i aktivizojmë masat për kthimin e parave tek qytetarët, modeli për rimbursimin e TVSH-së është i gatshëm

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Zëvendëskryetari i Qeverisë, i ngarkuar për Çështje Ekonomike dhe koordinim të resorëve ekonomikë, Koço Angjushev, sot bashkë me qytetarët e interesuar marrin pjesë në debatin e hapur në tribunën “Ekonomi e fuqishme - mundësi për të gjithë” në Kavadar.

Në fjalimin e tij hyrës  para qytetarëve të shumtë nga Kavadari dhe regjioni, Kryeministri Zaev, theksoi se reformat dhe politikat e reja ekonomike dhe Marrëveshja e Prespës, si dhe anëtarësimi ynë në NATO, që është në proces të ratifikimit në parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës, kanë nxitur tendenca të fuqishme dhe pozitive të zhvillimit ekonomik.

 

Në përkrahje të kësaj teme, Kryetari i Qeverisë potencoi se vitin 2018 e përfunduam me një vlerë rekorde të investimeve të huaja të drejtpërdrejta prej 624,5 milion euro, ndërkaq klima e qëndrueshme politike dhe mbështetja e mbi 250 ndërmarrjeve vendase, siguruan një numër të vendeve të reja të punës mirë të paguara, rritje të vazhdueshme të pagës mesatare dhe tendenca të cilat ndikojnë në rritjen  e PBB-së,  të shtetit, si një indikator për rritjen shoqërore.

“Këto tendenca pozitive ekonomike, na mundësojnë t’i zbatojmë masat me anë të cilave njihen politikat e kësaj Qeverie: T’i kthejmë paratë tek qytetarët mbi baza të shumta.  Nga 1 korriku do të fillojë masa për kthimin e një pjese të tatimit për vlerën e shtuar të qytetarëve (TVSH). Kemi zhvilluar një sërë takimesh me Ministrinë e Financave dhe me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe e krijuam modelin për kthimin e TVSH-së tek qytetarët. Çdo qytetarë i vendit tonë nga mosha 15 vjeçare, do të mund të dorëzojë llogari fiskale nga konsumi i përgjithshëm, me çka çdo familje do të mund të llogarisë se gjatë një viti,  në buxhetin familjar, do të kthej rreth 30 mijë denarë,” njoftoi Kryeministri Zaev.

Në vazhdim, ai shtoi se shuma e përgjithshme e cila do t’u kthehet qytetarëve nga rimbursimi i TVSH-së, vlerësohet se do të jetë nga 60 deri në 100 milionë euro.

Tendencat pozitive ekonomike kanë rolin e tyre në zbatimin e pakos së re të ligjeve sociale me të cilat 400 mijë bashkëqytetarë tanë do të dalin nga varfëria, që nga prilli i këtij viti, pas miratimit të ligjeve nga ana e Kuvendit. Në mënyrë plotësuese, ndihma sociale e tanishme nga 3900 denarë do të rritet jo më shumë se 11 mijë denarë dhe kjo është vetëm një masë e re që përfshin edhe shumë të tjerë në sistemin e mbrojtjes.

Përveç rritjes së shumës së ndihmës sociale, ndër të tjera, me reformat, qasja në shtesat e fëmijëve dhe të arsimit është rritur për 20 herë. Nga viti i ardhshëm, shtesën e fëmijëve në vend të 3.200 fëmijëve të deritanishëm do ta shfrytëzojnë 73.500 fëmijë, ndërsa shtesën për arsim nga  3.800 fëmijëve të deritanishëm, do ta shfrytëzojnë  64.316 fëmijë. Gjithashtu një familje  e rëndomtë katër anëtarëshe, në vend të ndihmës sociale të deritanishme prej 3.000 denarë, do të marrë të ardhura të garantuara minimale mbi 10.000 denarë, gjegjësisht  çdo amvisëri do të marrë kompensim financiar sipas rrezikut social në të cilin gjendet.

“Tendencat e rritjes së pagave për 6% në nivel vjetor, paralajmërojnë se në vitin 2020 do të arrijmë të  realizojmë pagë mesatare prej 500 euro”, theksoi në tribunën  “Ekonomi e fuqishme - mundësi për të gjithë” në Kavadar, Kryetari i Qeverisë së RMV, Zoran Zaev.