U nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, FITR dhe Izraelit, qëllimi i së cilës është promovimi dhe zbatimi i inovacioneve dhe zhvillimi i sistemit shëndetësor në Republikën e Maqedonisë

Ministria e Shëndetësisë, Shteti i Izraelit dhe Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë nënshkruan Marrëveshjen trepalëshe në fushën e mbrojtjes shëndetësore, me qëllim të promovimit dhe implementimit të inovacioneve dhe zhvillimit në fushën e shëndetësisë.  

“Kjo marrëveshje e frytshme do të mundësojë veprim në më tepër fusha, siç janë: trajnimi i punonjësve të shëndetësisë për ndihmë urgjente mjekësore, edukimi në fushën e bioinformatikës, biostatistikës dhe hulumtimet klinike. Edukimi dhe shkëmbimi i ekspertëve në fushën e transplantimit dhe ehos, që tanimë kemi marrëveshje paraprake me spitalin e Qendrës Rabin në Tel Aviv gjatë vizitës sonë, si dhe me Universitetin Bar Illan për shkëmbimin e mjekëve dhe ekspertëve tanë të cilët do të shkojnë dhe do të qëndrojnë në këto spitale dhe do të mësojnë nga ekspertë të afirmuar në fushën e transplantimit. Bëhet fjalë për pajisje dhe materiale që do të përmirësojnë efikasitetin energjetik të spitaleve. E gjithë kjo që është e nevojshme për sistemin shëndetësor në Maqedoni”,  theksoi ministri Filipçe. 

Ministri Filipçe në fjalimin e tij shtoi se do të zbatohet edukim efektiv shëndetësor, bashkëpunim midis universiteteve të Republikës së Maqedonisë dhe Shtetit të Izraelit, edukim i personelit shëndetësor në disa fusha të reja, si dhe furnizim i pajisjes, por edhe ndihmë në formë të donacionit nga ana izraelite për institucionet shëndetësore në Manastir dhe Shkup. 

Për këtë Marrëveshje janë siguruar 100 mijë dollarë nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik dhe 104 mijë dollarë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit, ndërsa të njëjtit nëpërmjet Ambasadës së Izraelit në Maqedoni do të përdoren për implementim e kësaj Marrëveshjeje dhe Planit strategjik. 

“Jam i lumtur që jemi në vendin prej ku do të fillojmë bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e shëndetësisë. Shpresoj se së shpejti do të fillojmë me aktivitetet. Ne në sektorin e shëndetësisë shohim potenciale shumë të ndryshme. Potenciali për partneritet strategjik në sektorin e shëndetësisë është shumë i madh”, tha ambasadori Orian dhe shtoi se është i lumtur që do të fillojnë bashkëpunim me Fondin për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik. 

Ambasadori Orian, theksoi se në Izrael i shtyjnë përpara elementet risi të këtij partneriteti dhe shpresojnë se më tej do të kenë disa projekte të përbashkëta, duke përfshirë edhe një projekt për ajër të pastër, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministritë e tjera. 

“Shëndetësia është një nga fushat më të rëndësishme në të cilën mund të bashkëpunojmë dhe të gjejmë gjuhë të përbashkët në këtë partneritet”, theksoi ambasadori Orian. 

Drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski, njoftoi se ky Memorandum për bashkëpunim do të hapë derën për hyrje të inovacioneve dhe zhvillimit në një segment shumë të rëndësishëm dhe kjo është shëndetësia publike. 

“Me këtë Memorandum hapet dera për implementimin e inovacioneve në shëndetësinë publike. Partneri ynë kyç është Shteti i Izraelit si një nga vendet kryesore në fushën e inovacioneve në nivel global. Duam që ta përdorim potencialin e mbi 1400 kompanive dhe organizatave të këtij vendi që punojnë në zhvillimin dhe zbatimin e inovacioneve në shëndetësi dhe bioteknologji dhe për t’ua transferuar përvojën dhe ekspertizën e tyre kolegëve maqedonas. Zbatimi i inovacioneve në sektorin publik do të kontribuojë në efikasitetin e tij më të madh, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve”, theksoi drejtori Despotovski. 

Pjesa e parë e këtij projekti realizohet përmes donacionit të 48 karrocave të veçanta për fëmijë, të cilat muajin e kaluar janë dhuruar nga Ambasada izraelite në institucionet shëndetësore publike në Republikën e Maqedonisë. Në periudhën e ardhshme, gjegjësisht në 5 vitet e ardhshme, më intensivisht vazhdojmë të bashkëpunojmë me miqtë tanë nga Izraeli.