Osmani me fjalim në Segmentin e Nivelit të Lartë të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot pati fjalim në Segmentin e Nivelit të Lartë të sesionit të 55-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, përmes një video-lidhjeje.

“Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut si bazë e rendit kushtetues, si dhe përkushtimi për forcimin e bashkëpunimit multi-lateral në drejtim të respektimit dhe mbrojtjes së tyre, janë bazë e politikës së jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Osmani.

“Këtë vendi e dëshmoi më së miri gjatë presidencës me OSBE-në në vitin 2023 nën sloganin “Fjala është për njerëzit”, duke e vënë fokusin në adresimin e diskriminimit dhe intolerancës, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, lirinë e medias, të rinjtë dhe shoqërinë civile, dhunën ndaj grave dhe barazinë gjinore. “- përfundoi Osmani në fjalimin e tij.

Osmani kujtoi kandidaturën e Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Këshillin për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2025-2027 dhe shprehu optimizëm se vendit do t'i jepet mundësia të merr pjesë aktive në punën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për herë të dytë, i cili njëherit mbetet një forum vendimtar për diskutim të përballjes me sfidat që vënë në pikëpyetje realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Në sesionin e Segmentit të Lartë, i cili do të zgjasë deri më 5 prill, marrin pjesë krerët e qeverive dhe shteteve dhe ministrat e punëve të jashtme, me qëllim që të rikonfirmohet rëndësia e punës së Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe mekanizmave të tij për adresimin e plotë të sfidave për realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe me qëllim të marrjes së përgjegjësive nga agjenda globale e të drejtave të njeriut përpara Samitit të ardhshëm për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara.