Osmani nga OKB-ja në Nju Jork: Duhet t'i themi jo Rusisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka folur sot nga selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në mbledhjen e 56-të plenare të seancës së 78-të të Asamblesë së Përgjithshme, me rastin e dy vjetorit nga invazioni rus ndaj Ukrainës, i cili u mbajt me temë: Situata në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës.

Ministri Osmani edhe një herë i bëri thirrje Rusisë që të ndalojë këtë luftë të pakuptimtë dhe t’i tërheqë trupat e saj nga territori sovran i Ukrainës.

“Rusia shkeli parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe filloi luftë agresive kundër Ukrainës, një vend anëtar i OKB-së”, theksoi Osmani.

Njëherit, Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut është gjithashtu shumë e shqetësuar dhe dënon deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi dhe Bjellorusi nga Federata Ruse dhe u bëri thirrje atyre që të sigurojnë kthimin e tyre të sigurt në shtëpi.

“Duhet t'i themi jo Rusisë! Drejtësia dhe përgjegjësia duhet të mbizotërojnë”, tha Osmani, duke shtuar gjithashtu se Maqedonia e Veriut iu bashkua 140 vendeve të tjera anëtare në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991, gjë që, për fat të keq, Federata Ruse nuk e respektoi.

Osmani bëri thirrje për unitet në mbështetje të Ukrainës, jo vetëm për hir të viktimave dhe familjeve të tyre, por edhe si parakusht për shmangien e agresioneve të mëtejshme dhe përdorimit të paprovokuar të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare.