Kovaçevski: Me pajisjet e reja në AShAM mundësojmë zhvillimin e përshpejtuar të potencialeve tona shkencore, krijojmë kushte për prosperitetin e shtetit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, morën pjesë në prezantimin e pajisjeve të reja për testimin gjenetik në AShAM dhe promovimin e rezultateve të marra nga projekti "Avancimi i kapaciteteve të Qendrës Nacionale të Proteomikës Gjenomike pranë ICGIB - AShAM në fushën e mjekësisë së personalizuar".

Në vazhdim përcjellim deklaratën integrale të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski:

“Të nderuar akademikë,

Të nderuar ministra,

Të nderuar qytetarë,

Të nderuara media,

Në fillim dua të përgëzoj kryetarin e sapo zgjedhur të AShAM-së, akademikun Zhivko Popov, i cili shpresoj me përvojën dhe njohuritë e tij të pasura, do të japë kontribut të madh në zhvillimin e institucionit tonë më të lartë të pavarur shkencor e artistik në vendin tonë. Më herët kemi pasur një takim me kryetarin e ri të AShAM-së, me ish-kryetarin e AShAM-së, Akademik Kotsarev dhe me akademikë të tjerë me të cilët kemi biseduar për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe AShAM-së.

AShAM së shpejti do të shënojë 57 vjet  ekzistencën e saj, përmes hulumtimeve të ndërlikuara multidisiplinare shkencore, tubimeve dhe afirmimit të arritjeve artistike, duke dhënë kontribut të madh në nxitjen e zhvillimit të mendimit shkencor dhe të arritjeve artistike maqedonase.

Sot jemi këtu për të shënuar rezultatet e bashkëpunimit tonë të ndërsjellë, sepse, siç e them shumë herë, një vend i suksesshëm, përparimtar mbështetet në sukseset në shkencë. Sepse shteti që investon në shkencë, investon në të ardhmen dhe zhvillimin e saj.

Me mbështetjen buxhetore është ndihmuar blerja e pajisjeve të reja për nevojat e Qendrës Kërkimore për Inxhinieri Gjenetike dhe Bioteknologji “Georgi Efremov”, në vlerë prej më shumë se 580 mijë euro. Ne investojmë në zhvillimin e inxhinierisë gjenetike, biologjisë molekulare, por ndjekim edhe trendet botërore në lidhje me pandeminë Kovid-19. Pajisjet janë në funksion edhe të veprimtarive edukative në kuadër të studimeve pasuniversitare, specializimeve dhe studimeve të doktoraturës në fushën e biologjisë molekulare dhe inxhinierisë gjenetike.

Në mënyrë plotësuese, me përdorimin e pajisjeve dhe me mbështetjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, përmbushim kërkesat e klinikave dhe Akademisë, me të cilat  buxheti do të mbulojë dy analiza të reja për pacientët me sëmundje të rralla dhe për diagnostikimin molekular.

Ajo që dua të theksoj këtu është se i njohim vlerat e këtij institucioni më të lartë shkencor  dhe të të gjitha institucioneve tona shkencore dhe për këtë arsye marrim hapa konkretë për mbështetje financiare për zhvillimin e tyre.

Unë, së bashku me ministrat dhe akademikun e nderuar, patëm rastin të takohemi me bashkëpunëtorët shkencorë që punojnë me këtë pajisje të re dhe të cilët analizat që bëjnë janë në të njëjtin nivel, niveli më i lartë botëror, sikur të ishin bërë në Gjermani, Francë, Italia apo ndonjë vend tjetër të zhvilluar.

Prandaj, ata meritojnë respektin më të lartë nga shteti dhe veçanërisht nga ata që kanë ndihmuar gjatë sfidave shëndetësore që kanë pasur në jetën e tyre.

E them këtë sepse për herë të parë kjo Qeveri ndërmori hapa pioniere për zhvillim  të përshpejtuar të  potencialit tonë shkencor në disa fusha. E di që nuk është shumë, por gjithsesi bëhet fjalë për pajisje që janë të prodhimit më të lartë botëror, mbi gjysmë milioni euro dhe që kontribuojnë për të bërë analiza gjenetike dhe molekulare gjithëpërfshirëse dhe jashtëzakonisht të sofistikuara që do të bëhen këtu në Shkup.

Për herë të parë, pas 10 vitesh, në vitin 2021 u mbajt Konkursi për financimin e projekteve kërkimore-shkencore për institucionet publike shkencore, si dhe është zhvilluar Konkursi për blerjen e pajisjeve për laboratorët, akreditimin e laboratorëve dhe për të gjitha subjektet që kryejnë kërkime shkencore, në kuadër të të cilit është miratuar edhe pajisja me prezantimin e të cilave jemi të pranishëm sot. Bëhet fjalë për projekte trevjeçare, vlera e përgjithshme e të cilave është pothuajse 318 milionë denarë ose mbi 5 milionë euro, në të cilat mbi 70% është pjesëmarrja e shtetit në realizimin e të njëjtëve.

Në kushtet e krizës botërore ekonomike dhe energjetike, investojmë në projekte kapitale dhe mundësojmë zhvillimin e papenguar të institucioneve që janë nën ombrellën shtetërore.

Për herë të parë pas disa dekadash kemi ndihmuar në rinovimin dhe modernizimin e pajisjeve në dispozicion të Akademisë për të ndjekur trendet botërore, ndërsa dhe në periudhën e kaluar kemi vizituar edhe laboratorë të tjerë shkencorë në mbarë vendin ku për herë të parë pas një periudhe të gjatë janë bërë investime serioze.

Ju keni qenë prezent në Fakultetin e Farmacisë, më parë edhe në Universitetin Goce Dellçev në Shtip, ku janë prezantuar edhe laboratorë të rinj të sofistikuar dhe modern.

Të gjitha përpjekjet tona synojnë përparimin sa më të shpejtë të arsimit dhe shkencës dhe masat sa më të shumta për të ndihmuar të rinjtë tanë të realizojnë ëndrrat e jetës, këtu në vendlindjen e tyre. Këtu, ku së bashku me ne, krijojmë kushte për një cilësi evropiane të jetës.

Ky është qëllimi ynë dhe prioriteti ynë nga i cili nuk do të devijojmë. Është obligimi dhe përgjegjësia jonë, si vendimmarrës, me të cilën ne ndikojmë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Për këtë arsye morëm një sërë masash për përmirësimin e kushteve në arsimin e lartë, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Arsimin e Lartë nga viti 2018, i cili riktheu autonominë e universiteteve.

Për herë të parë në vitin 2021 u nënshkrua Marrëveshja Kolektive, e cila siguron rritje të vazhdueshme të pagave.

Për herë të parë, kjo Qeveri vendosi një vakt të subvencionuar për studentët, si dhe vendosëm kategori të reja të bursave studentore, të cilat i rritëm dhe i barazuam në nivelin prej 6050 denarë në muaj, që është një rritje prej 80% në krahasim me më parë.

Studentët i përfshimë edhe në pakon e re të masave kundër krizës, ku parashikuam që në 7 muajt e ardhshëm 15.000 studentë që jetojnë jashtë vendit të studimit të marrin kupon mujor për transport në vlerë prej 600 deri në 1.200 denarë, për të cilat janë planifikuar 2 milionë euro.

Për ta përmbledhur, shkenca dhe arsimi janë një nga shtyllat kryesore të shtetit. Pa to nuk ka përparim, rritje dhe zhvillim. Kjo është arsyeja pse ne duhet të mbështetemi në shkencë, në arsim për të ecur përpara, për të vazhduar me arritjet botërore. Vetëm kështu do të kemi prosperitet dhe një të ardhme të ndritur.

Ju falënderoj dhe dua t'ju falënderoj edhe një herë për nderin që më kanë bërë Akademikët e AShAM-së që të jem sot këtu dhe bashkë me ta të shohim se si funksionojnë në përdorim pajisjet e reja të siguruara me ndihmën e shtetit.

Ju faleminderit.”