Kryeministri Kovaçevski për një vizitë pune në Paris

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski do të qëndrojë për një vizitë pune në Paris.

Kryeministri Kovaçevski në kuadër të aktiviteteve të punës do të realizojë vizitë zyrtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) dhe do t'u drejtohet vendeve anëtare në margjinat e Konferencës së 42-të të Përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet në selinë e UNESCO-s në Paris. Në vizitën zyrtare në UNESCO, Kryeministri Kovaçevski do të pritet nga drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Odre Azule.

Në kuadër të vizitës, Kryeministri Kovaçevski,  bashkë me disa krerë të shteteve dhe qeverive, liderë të organizatave ndërkombëtare, figura me ndikim nga biznesi ndërkombëtar, nga organizatat e shoqërisë civile, nga komuniteti akademik do të marrin pjesë në hapjen e Forumit të 6-të të Paqes në Paris. Qëllimi kryesor i Forumit është të inkurajojë bashkëpunimin dhe kërkimin e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballet bota. Kryeministri Kovaçevski do të mbajë fjalim në seancën me temë “Adresimi i pabarazive dhe përshpejtimi i Synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm”.

Në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, Kryeministri Dimitar Kovaçevski i shoqëruar nga bashkëshortja Elena Kovaçevska, do të marrin pjesë në darkën e organizuar nga Presidenti francez Emanuel Makron dhe bashkëshortja e tij Brizhit Makron, për nder të krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrës në Forumin e Paqes në Paris.