Osmani në Кonferencën Мinistrore në Berlin, kushtuar zgjerimit të BE-së: Integrimi i Ballkanit Perëndimor duhet të fillojë tani dhe të finalizohet me anëtarësimin

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, sot mori pjesë në Konferencën Ministrore "Unioni i zgjeruar, më i fuqishëm” në Berlin,  organizuar nga Ministria Federale e Punëve të Jashtme.

"Maqedonia e Veriut është testi i lakmusit për kredibilitetin e Bashkimit Evropian. Nga pikëpamjet e Juncker-it deri tek ato të von der Leyen disa ditë më parë, mund të dëshmoj në mënyrë empirike se Europa sot po përballet me një zgjim gjeopolitik, i cili duhet të sigurojë një investim gjeostrategjik në sigurinë e BE-së” theksoi Osmani.

Në fjalën e tij, Ministri iu referua konceptit “Më shumë integrim, para anëtarësimit në BE”, si një nga modalitetet për të arritur në mënyrë efektive ekonomitë e vendeve anëtare të BE-së dhe për të kapërcyer hendekun që aktualisht po zgjerohet në vend që të ngushtohet. Njëherazi, ai përshëndeti Planin e Zhvillimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të prezantuar nga Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, i cili plotësohet me këtë koncept.

Lidhur me debatin për nevojën e reformave të brendshme në mënyrë që vendet të jenë të gatshme për t’i bashkuar Unionit si anëtarë të rinj në një të ardhme të parashikueshme, Osmani tha se reformat duhet të trajtohen si komplementare me zgjerimin, e jo si njëra që e përjashton tjetrën apo njëra të jetë parakusht për tjetrën.

“Pas 20 vitesh nga Agjenda e Selanikut, është e nevojshme të ndryshohet qasja aktuale bazë e gjithçkaje ose asgjëje, ku një vend për sa kohë që nuk është anëtar i Unionit nuk është i përfshirë në politikat apo institucionet e BE-së ose nuk ka qasje në fondet e BE-së. Në vend të kësaj, çdo kandidat, përmes zbatimit të suksesshëm të reformave dhe harmonizimit të politikave të tij me ato të BE-së, duhet të përparojë me ritmin e vet përmes integrimit gradual”, theksoi Osmani.

Ministri foli në pjesën e parë të konferencës, së bashku me Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Analena Berbok, të Sllovenisë, Tanja Fajon dhe të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Konferenca Ministrore, që synon shkëmbimin e pikëpamjeve mbi gatishmërinë e Unionit për zgjerim dhe  gatishmërinë e vet shteteve të ardhshme anëtare për anëtarësim, u zhvillua pak përpara se Komisioni Europian të publikojë paketën e tij të zgjerimit së bashku me raportet për vendet kandidate, të cilat do të japin rekomandime për hapat konkretë që do të vendosen nga Këshilli Europian në dhjetor.

Në margjinat e konferencës, Osmani zhvilloi takime bilaterale me kolegët e tij nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni.