Kovaçevski: Me masa dhe politika të duhura e ruajmë likuiditetin e kompanive, mbrojmë ekonominë dhe standardin jetësor

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot së bashku me zëvendëskryetarin e Qeverisë për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investimeve, Fatmir Bytyqi dhe u.d. drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, vizituan kompaninë Mako Market SHPK Shkup.

“Vazhdojmë me serinë e vizitave në tregun tonë vendor sepse duam të ndjekim hapat e kompanive tona, të dëgjojmë zërin e tyre për masat që ne propozojmë sepse si politikëbërës në vendin tonë jemi pjesë e zhvillimit të tyre. Ashtu si shumë kompani të tjera, kompania e sotme është pjesë e qindra kompanive që në vitet e kaluara janë mbështetur dhe mbështeten nga fondet buxhetore, të cilat modernizuan procesin e prodhimit dhe u bënë edhe më konkurruese në tregun tonë dhe në tregjet ndërkombëtare”, tha Kryeministri Kovaçevski gjatë vizitës në “Mako Market”, që është përfitues i ndihmës shtetërore në kuadër të Ligjit për mbështetje financiare të investimeve.

Duke falënderuar kompaninë, e cila në shenjë mbështetjeje për masat e fundit të Qeverisë, ka rregulluar çmimet e produkteve që i shpërndan dhe që janë pjesë e prodhimit të tyre, Kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria në periudhën e kaluar ka marrë një sërë masash për të mbrojtur standardin e jetesës dhe për të mbrojtur likuiditetin e kompanive.

“Ne si Qeveri dhe ministrat nga dikasteret ekonomike në vepër, në terren këtu tregojmë se çfarë është kujdesi real për kompanitë. Jo vetëm me mbështetjen e kompanive, por edhe me gatishmërinë për të qenë gjithmonë dhe kudo të hapur për shkëmbimin e mendimeve, sugjerimeve, propozimeve. Prandaj edhe jemi mes kompanive së bashku me menaxhmentin e tyre, me punonjësit e tyre, por edhe me qytetarët. Ne dëgjojmë mendimet e tyre, nevojat e tyre, prandaj marrim masa në favor të qytetarëve. Përmes ngrirjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe uljen e tyre duke ofruar një çmim 'të garantuar' të produkteve, si dhe me vendimin e Qeverisë për të precizuar normën preferenciale të TVSH-së prej 5% për shumicën e produkteve ushqimore bazë, ne kemi krijuar një bazë solide për të arritur inflacionin prej 5% deri në fund të vitit. Mendoj se ky qëllim është real dhe i arritshëm”, theksoi Kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se Qeveria merr vendime sipas lëvizjeve në treg dhe nuk do të lejojë përfitime në kurriz të së mirës së përgjithshme në kohë krize.

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investimeve, Fatmir Bytyqi tha se nga viti 2021 kompania është pjesë e portofolit të Ligjit për mbështetjen ginanciare të Investimeve dhe është një nga kompanitë vendore që në persë vitet e fundit kanë investuar 500 milionë euro në ekonominë tonë.

“Mako Marketi është shembulli i një kompanie që ne e mbështesim në zhvillimin e saj, zgjerimin dhe përmirësimin e prodhimit, ndërsa me këtë edhe punonjësit e saj, të cilët kanë punë të qëndrueshme dhe të paguara denjësisht. Kompania në vitin 2020 fillon një projekt investues mbi një milion e 400 mijë euro për zgjerimin e objekteve prodhuese, për të cilin mbështetja nga Qeveria deri më tani është mbi 10 milionë denarë”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi dhe shtoi: “Me mbështetjen financiare të kompanive vendore në ciklet e tyre të investimeve, Qeveria kujdeset që përmes zhvillimit të ekonomisë të krijojë vende të reja pune dhe të paguara mirë për qytetarët, por kujdeset edhe të mbrojë drejtpërdrejt standardet e tyre të jetesës përmes tarifave preferenciale të taksave të produkteve ushqimore bazë. Jo vetëm përmes normave tatimore preferenciale prej 5%, ne do të mbrojmë dhe përmirësojmë më tej në mënyrë sistematike standardet e qytetarëve me Ligjin për praktikat e padrejta tregtare, me të cilin do të heqim nga tregu sjelljet joetike të biznesit që dëmtojnë drejtpërdrejt fuqinë blerëse.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbetet fuqishëm në synimin e saj për të zhvilluar sistematikisht ekonominë, por në të njëjtën kohë për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve”.

U.d. drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski, në ngjarje theksoi se Inspektorati është në terren dhe përsëri u bëri thirrje qytetarëve që nëse vërejnë mos respektim të masave të çmimit të garantuar apo ndonjë shkelje tjetër të ligjeve, ta lajmërojnë Inspektoratin e Tregut.

„TVSH prej 5% mbetet për produktet ushqimore bazë dhe nuk do të ketë  dhe nuk guxon të ketë rritje të çmimeve. Tregtarët mund të ulin më tej çmimet e produkteve bazë, por në asnjë rast të mos i rrisin ato.

Inspektorati i Tregut vazhdimisht kryen kontrolle dhe mund të them se tregtarët në përgjithësi i zbatojnë vendimet e Qeverisë. Por, nëse konstatojmë se dikush po tenton të manipulojë qytetarët, ai nuk do të kursehet, përkundrazi do të marrë sanksionin e duhur. Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku dhe të ndërtojmë një sistem të drejtë në vendin tonë, ndërsa ata që nuk duan të jenë pjesë e atij sistemi do të ndëshkohen pa seleksionim dhe pa kompromis sipas të gjitha ligjeve me të cilat vepron inspektorati i tregut”, tha u.d. drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski.