Sigurohet transport ajror falas për evakuim të shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Izraeli, në relacionin Tel Aviv - Shkup

Ju informojmë se në bazë të vendimit të marrë sot nga ana e Qeverisë, është organizuar transport ajror falas me fluturim çarter, në relacionin Tel Aviv - Shkup, për shkak të evakuimit të të gjithë shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët duan të largohen nga Izraeli, dhe të cilët kanë kërkuar që të kthehen në Maqedoninë e Veriut. Në kushte të anulimit të të gjitha fluturimeve dhe transport ajror të bllokuar me Izraelin, sfida për organizimin e këtij fluturimi çarter është tejkaluar përmes bashkëpunimit me "Air Serbia" për transport të qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë. Transporti ajror i cili do të organizohet gjatë ditës së nesërme, do të jetë falas për qytetarët të cilët kanë kërkuar ndihmë, dhe do të mbulohet nga rezervat e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në drejtim të organizimit efikas të transportit ajror, Ministria e Punëve të Jashtme, përmes Përfaqësive Konsullore Diplomatike në Tel Aviv ka siguruar listën dhe informacionet për shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët gjenden në Izrael dhe të cilët kanë kërkuar ndihmë që të kthehen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Ambasada në Tel Aviv ka qenë në kontakt me qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga fillimi i krizës dhe disa nga qytetarët që ishin në Izrael tashmë janë kthyer në vend, ndër të tjera edhe me fluturime speciale të vendeve mike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ambasada dhe Ministria e Punëve të Jashtme mbeten të hapura për të gjitha pyetjet lidhur me këtë çështje.