Forumi i Prespës për Dialog: Me Marrëveshjen e Prespës për pesë vite sfidat u kthyen në mundësi

“Maqedonia e Veriut është shembull i një vendi që promovon marrëdhënie të mira fqinjësore përmes politikave funksionale të dialogut”, tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në hapjen zyrtare të dialogut të sivjetmë të Forumit të Prespës për Dialog në sesionin “Marrëveshja e Prespës për pesë vite: Sfidat e kthyera në mundësi”.

“Me Marrëveshjen e Prespës dhe të gjitha hapat e ardhshme deri më sot, ne kemi ripërtërirë besimin në diplomaci, duke promovuar dialogun e hapur si përfitim.

Me këtë treguam një shembull të zbatueshëm dhe funksional të zgjidhjes së krizës, që ka një rëndësi të veçantë në kontekstin e sotëm gjeopolitik të zhvillimeve, për zgjidhjen e sfidave të ngjashme me të cilat po përballet sot rajoni dhe Evropa. 5 vite më parë, kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë arritën të kuptoheshin me njëri-tjetrin, përmes dialogut, sepse një vullnet i tillë ekzistonte nga të dyja palët.

Unë dhe Kryeministri i Bullgarisë - Petkov, në korrikun e kaluar arritëm të kuptojmë njëri-tjetrin, sepse zhvilluam një dialog dhe sepse kishim vullnet politik nga të dyja palët. Me këtë ushtrim të përgjegjshëm të besimit të besuar nga qytetarët, në vetëm 5 vite: Republikën e Maqedonisë së Veriut e bëmë anëtare të barabartë të NATO-s. Pas 17 vitesh të gjata, vitin e kaluar arritëm të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian, me mbrojtjen e plotë të identifikimit të popullit maqedonas.

Jemi shembull në rajon dhe në Evropë për një shtet të suksesshëm, funksional, multietnik, në të cilin qytetarët kanë të drejta dhe përgjegjësi të barabarta para ligjeve”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në fjalimin përmbyllës në hapjen zyrtare të Forumit për Dialog të Prespës, theksoi rëndësinë e Forumit si platformë për dialog dhe bashkëpunim konstruktiv në rajon.

“Ne jemi përpara një detyre – një mision për të përfunduar Evropën duke zgjeruar familjen evropiane deri në vitin 2030. Ky mision, ndonëse sfidues, nuk është aspak i pamundur.

Është e nevojshme që secili prej nesh të njohë momentin gjeopolitik dhe të mbrojë unitetin e sapokrijuar euroatlantik, në mënyrë që të forcojmë qëndrueshmërinë tonë të përbashkët për një Evropë të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe të begatë. Ne duhet të njohim rëndësinë e adresimit të sfidave urgjente përpara nesh. Ne duhet të trajtojmë kolektivisht çështje të tilla si pabarazia ekonomike, korrupsioni dhe ndryshimet klimatike. Duke përdorur fuqinë e bashkëpunimit dhe inovacionit, ne mund t'i shndërrojmë këto sfida në mundësi për rritje, zhvillim dhe përparim, në mënyrë që zgjerimi i familjes evropiane të bëhet mision i pashmangshëm”, theksoi ministri Osmani.

Në panel folën edhe Mirosllav Jença, ndihmës sekretar i përgjithshëm i KB-së për Evropë, Azi Qendrore dhe Amerikë, sekretari i përgjithshëm i MPJ-së në Greqi dhe ambasador i Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Rusos Kunduros, drejtoresha e përgjithshme për Ballkanin Perëndimor në BE, Angelina Ajnhorst, Millosh Ristovski, nga Forumi Evropian Rinor, si dhe përfaqësuesi special i Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin.

Folësit së bashku arritën në përfundimin se dialogu i Forumit të Prespës është një platformë e përbashkët për diskutim dhe rrjetëzim si dhe gjetjen e zgjidhjeve dhe komunikimit të ndërsjellë. U theksua se vetëm të gjithë së bashku mund të shpresojmë për një të ardhme më të mirë dhe se të gjithë mund të kontribuojnë në përpjekjet e përbashkëta për të krijuar një Evropë të begatë dhe të qëndrueshme.

Para panelit foli edhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishel, i cili mbajti një video fjalim në të cilin mbështeti Prespa Forumin për Dialog, si dhe procesin e integrimit evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në fund të sesionit, Kryeministri Kovaçevski i ndau mirënjohje Majlinda Bregut, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.