Osmani nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së u bëri thirrje liderëve botërorë që ta rivendosin paqen në rajonin e OSBE-së

Thirrje për veprim dhe vendosje të menjëhershme të paqes në rajonin e OSBE-së, Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, u ka drejtuar sot liderëve botërorë të pranishëm në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kryesimi me Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga ky muaj është në duart e Zvicrës, e cila e ftoi Osmanin që t’i  prezantojë priortitetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe bashkëpunimin ndërmjet OSBE-së dhe OKB-së.

Duke vënë theksin në 30 vjetorin e partneritetit ndërmjet OSBE-së dhe OKB-së, veçanërisht në fushën e parandalimit të konflikteve dhe menaxhimit me krizat, Osmani bëri thirrje për sinergji për arritjen e paqes për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme.

“Ashtu siç sfidat e sigurisë vazhdojnë të zhvillohen, natyra e bashkëpunimit të OSBE-së me OKB-në gjithashtu duhet të zhvillohet, por edhe të bëhet më pragmatike dhe e orientuar drejt veprimit. Partneritetet e fuqishme dhe strategjitë e përbashkëta janë mënyra e vetme për t'u përballur në mënyrë efektive me sfidat gjithnjë e më komplekse të sigurisë, veçanërisht gjatë luftës, vështirësive dhe krizave ekonomike”, theksoi Osmani në fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit.

Vizioni politik i kryesimit tonë është në moton “Fjala është për njerëzit” përmes së cilës duam të potencojmë se siguria e njerëzve është prioriteti ynë kryesor. “Cili është qëllimi i veprimeve tona politike, në nivel nacional dhe ndërkombëtar, nëse heshtim para vuajtjeve të njerëzve?”, pyeti Osmani.

“Si udhëheqës, ne kemi përgjegjësi t'u shërbejmë njerëzve, t'i mbrojmë ata dhe të sigurohemi që zëri i tyre të dëgjohet. Bota po përballet me sfida të papara ku çmimin më të madh e paguajnë njerëzit. Është koha për të ndërmarrë veprime vendimtare! Nuk mund të presim më derisa vuajtjet e njerëzve vazhdojnë!”, tha Osmani.

Në këtë drejtim, para Këshillit të Sigurimit, Osmani edhe një herë i bëri thirrje Rusisë që t’i tërheqë trupat e saj nga territori sovran i Ukrainës dhe t'i japë fund vuajtjeve të njerëzve.

Në fjalimin e tij ai i prezantoi edhe aktivitetet e tij të deritanishme në kuadër të kryesimit, duke iu referuar vizitës në disa rajone kyçe të OSBE-së si Ukraina, Moldavia dhe Kaukazi Jugor, por edhe përkushtimit për ruajtjen e stabilitetit dhe ruajtjen e paqes në to. Osmani paralajmëroi edhe vizitën e tij të ardhshme si Kryesues i OSBE-së edhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

"Prioritetet e tjera të përfshira në Programin tonë për kryesimin në vitin 2023, në masë të madhe do të varen kryesisht nga zhvillimet e sigurisë. Edhe përkundër të gjitha vështirësive, do të vazhdojmë të promovojmë sigurinë e njerëzve duke mbështetur rritjen e qëndrueshme ekonomike, të drejtat themelore të njeriut, tolerancën dhe mosdiskriminimin, si parakushte për sigurinë gjithëpërfshirëse”, tha Osmani para liderëve botërorë dhe u bëri thirrje OSBE-së dhe OKB-së që të dëshmojnë në vepër të gjithë potencialin e tyre dhe të mos lejojnë që parimet dhe zotimet e përbashkëta të mbeten vetëm fraza boshe.

“Pikërisht bashkëpunimi ndërmjet OSBE-së dhe OKB-së në vitet që kanë kaluar, ka treguar se duke u bashkuar mund të arrihen rezultate”, tha Osmani.

“Përvoja e së kaluarës dhe mësimet e nxjerra na japin drejtimet e duhura për të ardhmen. Jam i vetëdijshëm se sfidat e reja mund të kërkojnë një qasje të përshtatur dhe të re, por në çdo rast, partneriteti i OSBE-së me OKB-në është dhe do të mbetet me rëndësi jetike. Duhet t’i shtojmë përpjekjet tona për ta ruajtur bashkërisht multilateralizmin, veçanërisht në aspektin e sigurisë gjithëpërfshirëse”, tha Osmani.

Osmani iu referua përvojës së Maqedonisë së Veriut si shembull për përfitimet që kanë vendet nga dy organizatat, OSBE-ja dhe OKB-ja.

“Këtë vit shënojmë tre jubiletë. Gjegjësisht, si kryesues i OSBE-së kam nderin të veçoj 30 vjetorin e bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe OKB-së, më tej në fund të këtij viti Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e Këshillit të 30-të të Ministrave të OSBE-së dhe shënojmë 30 vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në OKB. Këta tre jubiletë janë shenja simbolike të përkushtimit tonë për bashkëpunim multilateral dhe njohje të përvojës që kemi fituar, veçanërisht në fushën e zgjidhjes së kontesteve dhe çështjeve të dallimeve identitare kulturore dhe etnike”, tha Osmani.